Çifti amerikan e shndërroi helikopterin në “helikamper”
Një çift nga Alabama të SHBA-së, e gjeti trupin e një helikopteri në faqet shitëse në Facebok dhe vendosi ta blejë, duke e shndërruar në një kamping.
Blake Morris dhe Maggie Morton, të dy pilotë të Rojës Bregdetare të SHBA-së, panë trupin e helikopterit që e kishte nxjerr në shitje një burrë nga Florida dhe filluan të interesoheshin, shkroi “Upi” të martën.
Helikopteri ishte përdorur më parë nga policia ushtarake gjermane dhe ajo amerikane.
“E pyeta Maggien dhe ajo ishte shumë mbështetëse. Prisja që të thoshte se isha i çmendur, por ajo në fakt tha se ishte një ide e mrekullueshme", tha Morris.
Çifti hapi llogari në rrjetin social Instagram për ta dokumentuar procesin e ndërtimit të “helikamperit”.
Ata njoftuan se e përshtaten helikopterin me altoparlantë dhe e lidhën me televizor.
“Televizori lëviz, kështu që ju mund ta shikoni atë në shtrat ose kur jeni duke përgatitur ushqim në kuzhinë”, shtoi Morris.
Ai shtoi se helikopteri i tyre ka marrë vëmendje të madhe në rrugë.