300 monedha argjendi zbulohen në Danimarkë

Këto monedha janë zbuluar nga arkeologët në veri të Jutlandit në vjeshtën e vitit të kaluar. Ato u gjetën me një detektor.
Thesari përbëhet nga 300 monedha të argjendta dhe bizhuteri të copëtuara, të cilat, sipas ekspertëve, janë përdorur për pagesa.
Arkeologu, Torben Christensen thotë se monedhat janë zbulim i rrallë në Danimarkë.
“Kemi bërë shumë kërkime private në Danimarkë. Ka ndodhur herë pas herë të gjejmë copa të vogla nga periudha e vikingëve, por shumë rrallë. Kam punuar për këtë për krejt jetën. Është shumë e rrallë që të jesh në këso situate kur gjeni diçka”, ka thënë ai.
Thesari është zbuluar në dy pjesë, secila 50 metra në tokën e një bujku në Bramslev. Mendohet se lëvrimi i tokës nga ai ka ndihmuar që monedhat të dalin më në sipërfaqe.
Koleksioni i monedhave daneze ka zgjuar interesimin e arkeologëve. Ata mendojnë se i përkasin viteve 970-980 kur në pushtet ishte mbreti viking Harald “Bluetooth” Gormsson, i cili ka drejtuar Danimarkën nga viti 950 deri në fund të viteve 980.
Harald ishte njëri nga mbretëritë e fundit vikingë që sundoi tani territorin e Danimarkës, veriun e Gjermanisë dhe disa pjesë të Suedisë dhe Norvegjisë. Gjatë mbretërimit të tij ai përhapi krishterimin në pjesët skandinave.
Disa prej monedhave kanë kryqin në njërën anë. Kjo me shumë gjasë ka ndihmuar që mesazhi i krishterë të përçohet në krejt Danimarkën.
Monedhat qarkulluan për më pak se 10 vjet. Në mesin e viteve 980, Haraldi humbi pushtetin shkaku i të birit dhe vdiq në Poloni.
Ekspertët thonë se zbulime te tilla nuk janë të pazakonta, por është interesant vendi i zbulimit, afër kështjellës së vikingëve nga shekulli i dhjetë.
Fyrkat, ashtu siç njihet, ishte pjesë e katër kështjellave unazë të mbretit Harald.
Nuk dihet se kur është braktisur kjo kështjellë, por janë zbuluar gjurmë të betejave në dy prej tyre.
“Monedhat janë gjetur tetë kilometra larg kështjellës Fyrkat, e cila ishte një nga pesë fortifikatat strategjike që Haraldi ndërtoi në Danimarkë. Pra, nuk ka dyshime se personat që i groposën monedhat në tokë, në fakt kishin lidhje edhe me kështjellën”, ka thënë ai.
Ekspertët besojnë se thesari i gjetur tregon se kjo pjesë ka luajtur rol të madh në mbrojtje të Fyrkatit.
Ata shpresojnë se katër kështjellat daneze të përfshihen në listën e trashëgimisë botërore të UNESCOS – vendim që pritet të merret në muajin shtator.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.