Mushkëritë rikuperohen vetë pas ndërprerjes së konsumimit të duhanit

Mushkëritë rikuperohen vetë pas ndërprerjes së konsumimit të duhanit

09 February 2020 09:35

Mushkëritë e kanë një aftësi pothuajse “magjike” për t’i korrigjuar mutacionet kancerogjene të shkaktuara nga pirja e duhanit, por vetëm nëse e ndërpritni pirjen e duhanit, thonë shkencëtarët, shkruan sot Koha Ditore.

Deri më tani besohej se mutacionet që shkaktojnë kancer të mushkërive janë të përhershme dhe mbesin edhe nëse e lini duhanin. Por një zbulim befasues në revistën “Nature” tregon se ato pak qeliza që e shmangin dëmtimin mund t’i “riparojnë“ mushkëritë, raporton BBC. Ky efekt është vërejtur edhe te pacientët që pinin një pako cigaresh çdo ditë për 40 vjet para se ta ndërprenin duhanin.

Mijëra kimikate në tymin e cigares shkaktojnë ndryshime në strukturën e ADN-së në qelizat e mushkërive, duke i shndërruar ngadalë ato nga qeliza të shëndetshme në kancerogjene. Studimi zbuloi se kjo ndodh në shkallë të gjera në mushkëritë e duhanpirësve, edhe para se të zhvillojnë kancer. Pjesa dërrmuese e qelizave të marra nga rrugët e frymëmarrjes të duhanpirësve pësuan mutacion me duhan dhe qelizat i përmbanin deri në 10.000 ndryshime.

“Këto mund të konsiderohen bomba miniaturike me sahat që e presin goditjen e ardhshme që do t’i shtyjë ato të transformohen në kancer“, thotë Kate Gowers, një prej shkencëtareve në UCL.

Por një pjesë e vogël e qelizave mbetet e paprekur. Është e paqartë se si ato e shmangin shkatërrimin gjenetik të shkaktuar nga pirja e duhanit, por shkencëtarët thonë se duket se mbijetojnë në një lloj bunkeri. Pasi që personi e ndalon pirjen e duhanit, këto qeliza rriten dhe i zëvendësojnë qelizat e dëmtuara të mushkërive.

Te njerëzit që e ndërprejnë pirjen e duhanit, deri në 40 për qind të qelizave të tyre duken si tek personat që kurrë nuk kanë pirë duhan. “Ishim plotësisht të papërgatitur për një zbulim të tillë. Ekzistojnë qeliza që e rikuperojnë në njëfarë mënyre rreshtimin e rrugëve të frymëmarrjes”, thotë dr. Peter Campbell nga instituti Sanger.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme