Nëse jeni duke luftuar me cilësinë e gjumit, mund të keni provuar tashmë disa nga sugjerimet më të zakonshme për të arritur rezultate, si përmbajtja e një orari të rregullt të gjumit, mos përdorimi i telefonit para se të flini dhe të bëni mjaftueshëm ushtrime. Ndërsa, këto janë të gjitha këshilla të dobishme dhe të vërtetuara shkencërisht, megjithëkëtë mund të mos jenë të mjaftueshme. Nëse jeni duke kërkuar për një ndryshim tjetër që ju ndihmon në përmirësimin e cilësisë së gjumit, merrni parasysh t’i hidhni një sy ushqimeve që hani.
Ndërsa qe një kohë të gjatë e dimë se zgjedhjet dietike janë të lidhura me cilësinë e gjumit, hulumtimi i ri zbulon se një zakon i veçantë i të ngrënit, që është ndjekja e dietës mesdhetare, mund t’ju ndihmojë veçanërisht të bini në gjumë më shpejt dhe të flini më shumë gjatë natës.
Duket se personat që hanë më shumë fibra, yndyra më të shëndetshme (si yndyrat e pangopura), fruta dhe perime të pasura me serotonin, melatonin, dhe lëndë ushqyese anti-inflamatore (si antioksidantë, acide yndyrore omega-3) bëjnë gjumë më të mirë. Por, nevojiten më shumë studime për të shpjeguar lidhjen e këtyre ushqimeve me kualitetin e gjumit.
Një sërë zakonesh të tjera, duke përfshirë kufizimin e marrjes së kafeinës dhe përdorimin e mjeteve teknologjike, mund të ndihmojnë gjithashtu në cilësinë e gjumit, por mos harroni që efektet ndryshojnë nga personi në person. Edhe kur bëhet fjalë për zgjedhjet tuaja dietike, ia vlen t’i shikoni gjërat nga një pikëpamje më e gjerë. Pra, nëse një ndryshim i veçantë zakoni nuk funksionon për ju, ia vlen të provoni disa gjëra të tjera derisa ta gjeni rutinën që funksionon më së miri dhe ju sjell rezultate të kënaqshme.
Një gjë që shumë njerëz e kanë të vështirë ta kuptojnë rreth lidhjes midis ushqimit dhe gjumit, është se të dhënat ekzistuese sugjerojnë se bëhet fjalë më pak për ushqime specifike dhe më shumë për metodat e përgjithshme të të ushqyerit.
Në tërësi, provat sugjerojnë se metodat e përgjithshme të të ushqyerit të shëndetshëm, veçanërisht ato që ofrojnë ekuilibër të mjaftueshëm ushqimor me pjesën më të madhe të marrjes së kalorive të fokusuar më shumë në mes të ditës, mund të jenë më të dobishme për një gjumë të mirë dhe për shëndetin e përgjithshëm të njeriut.
Përktheu: Edona Binaku
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.