3 perditesime
21:17

Haradinaj premton 500 euro për çdo fëmijë që lind dhe po aq për mbulim të ceremonive të vdekjeve

Nga 500 euro për çdo lindje ka premtuar kandidati i AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj. Ai ka premtuar një ndihmë po aq në shifër edhe për familjet që humbin anëtarët, si lehtësim për mbulim të ceremonive të vdekjeve.

Për ndihmën për lindjet, ai ka thënë se synimi është të stimulohet nataliteti.

Për ndihmën për familjet që humbin të afërmit, Haradinaj ka thënë se kjo bëhet me qëllimin se ka shumë familje që e kanë problem të sigurojnë edhe drekën për të pame.

“Për 50 persona kushton 100 euro e për komunën s’janë shumë. Ja sa e thjeshtë është”, ka thënë ai.

Haradinaj ka premtuar edhe rregullimin e morgut.

21:01

Haradinaj komenton shakatë për teleferikun: Projekt simpatik e me kosto të ulët

Një premtim i Daut Haradinajt për teleferik te shkallët e lagjes Arbëria është kthyer në cak të shumë përdoruesve të rrjeteve sociale për shaka. Megjithatë, ai ka mbrojtur premtimin e tij duke thënë se “do të ishte atraksion për Prishtinën e do të kishte kosto të ulët”.

“Janë munduar me tërheq paralele sepse e di që kandidatët edhe bëjnë gafa ndonjëherë. Është projekt simpatik e me kosto të ulët. I kam dëgjuar që është kthyer në show, por njerëzit janë mësuar të mos shohin duke ndodhë asgjë në kryeqytet, e ju duket ekzagjerim. Megjithatë kostoja e teleferikut është më e ulët se lifti i ndërtesës 40-katëshe që po ndërtohet në Lakrishtë”, ka thënë Haradinaj për KTV-në.

Sipas tij, një projekt i tillë s’do të kushtonte më shumë se një milion euro në partneritetin publiko-privat.

Ai ka thënë se banorët e lagjes Arbëria s’do të duhej të paguanin për shfrytëzimin e këtij teleferiku.

20:36

“Kurse të anglishtes për taksistët”, Haradinaj shpjegon premtimin e tij

“Ndihmë për taksistët që të mësojnë gjuhën angleze”. Ky është një nga premtimet e kandidatit të AAK-së për të parin e Prishtinës, Daut Haradinaj.

“Kam qenë në Londër, kryetari i kësaj komune e kishte bërë kursin special vetëm për taksi pasi shumica e shoferëve s’ishin anglezë. Njëjtë e ka bë edhe Stambolli. S’është kosto absolut. Zero kosto thuajse. S’po flasim për kurse të specializuara, por praktike. Do të ishte mirë sepse porta e parë në fakt për turistët është polici, por taksisti jep opinionin për qytetin, kryeqytetin e pse të mos jetë një ndihmë sado e vogël simbolike”, ka thënë Haradinaj teksa ka shtuar se ata s’do të jenë të detyruar ta mësojnë këtë gjuhë, por do të bëhet vetëm në baza vullnetare.

 

20:21

Daut Haradinaj planifikon pishinë në parkingun prapa Pallatit të Rinisë

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka thënë se po që se bëhet kryetar pas zgjedhjeve lokale të tetorit, synim i tij është ndërtimi i një pishine në parkingun prapa Pallatit të Rinisë.

“Kur është filluar ndërtimi i këtij kompleksi të madh ka qenë e planifikuar këtu pishina olimpike. Janë edhe platotë e ulëseve për shikues. Ka qenë projekt i përfunduar e siç duket në mungesë të fondeve e prishjes së raporteve...”, ka thënë ai në emisionin për zgjedhjet në KTV.

Sipas tij, çështja e parkingut që gjendet aty mund të rregullohet me ndërtimin e parkingjeve nëntokësore e mbitokësore, “që nuk marrin hapësirë”.