Lokalet 2021

Uran Ismaili shpalos projektin për integrimin e parqeve të Prishtinës

 

“Rrip të gjelbër” që i lidh parqet e qytetit mes vete ka premtuar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili. Po ashtu ai është zotuar që do të ketë trotuare të lira për qytetarët. E Rrahim Tërnava, kandidat i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, është zotuar për reforma në shëndetësi e arsim

Uran Ismaili, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, të martën e ka shpalosur projektin e tij, të cilin e ka quajtur “Rripi i Gjelbër”. Sipas Ismailit, ky projekt parasheh krijimin e “Rripit të gjelbër” të Prishtinës, që do t’i ndërlidhë lagjet me hapësirat e gjelbra ekzistuese, si dhe me ato hapësira që do të krijohen më vonë. Ky projekt, sipas tij, do të përfundojë në fund të vitit 2024.
“Pra tërësia që po e shihni krijohet nga këtu, nga kjo hapësirë e gjelbër, e cila siç po e shihni nuk është e trajtuar aq sa duhet dhe do të vazhdojë deri te Gërmia pandërprerë. Ky rrip i gjelbër sheh që do të ketë edhe investime infrastrukturore, pra ka disa vende ku duhet me investu në infrastrukturë në mënyrë që me u ba kapërcimi, të bëhet lidhja nga njëri park në parkun tjetër. Mos të harrojmë se ajo që e kemi parë shumë herë, që drunjtë dinë të mbillen, por më pastaj mungon kujdesi, pra do ta realizojmë një sistem shumë efiçient të ujitjes, i cili do të jetë modern që do të përkujdeset për gjithë këtë rrip të gjelbër”, ka deklaruar Uran Ismaili.

Po ashtu, Ismaili ka premtuar hapësira më të lehta për lëvizje, sidomos për fëmijët e vegjël e të moshuarit.
“Trotuare të lira e të gjera, shtigje për çiklistë, hapësira për lëvizje më të lehtë, hapësira për nënat me fëmijë, për të moshuarit tanë, të gjitha këto nevoja janë qëllim i yni për Prishtinën e gjelbër dhe atë që është e lirë në mobilitet”, ka thënë Ismaili.