7 perditesime
21:03

Rama: Projekti në Badovc ka qenë plotësisht i ligjshëm

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se projekti për lagjen në Badovc ka qenë totalisht brenda rregullave ligjore.

Në “Zgjedhjet në KOHË” ai ka thënë se e kishte klientin që e kishte tokën aty, dhe se çdo gjë ishte brenda rregullave. Porse i propozojë klientit ta ndërrojë lokacionin shkaku i presionit të madh publik.

“Në rregullativ, me planin zhvillimor të komunës, planin urban, ai vend ka qenë i dedikuar për densitet më të lartë, ndërtim 4-5 katë. I kam propozuar klientit që të mos ndërtojë aq lartë, dhe se mundemi me krijuar jo metra katror, por vlerë ndërtimi, ku e mbrojmë natyrën. Ke degradim të natyrës në atë zonë, shembje të dheut në liqen. Kemi sjellë sistemin Briem, me 4 yje, që është më i sofistikuari në botë sa i përket mbrojtjes së natyrës. I kemi propozuar kryetarit të përdoret ky sistem për çdo zhvillim në atë zonë për mbrojtje të natyrës. Zhvillimet nuk janë të kundërnatyrshme, mund të jenë ambientale e në ngritje të nivelit të mbrojtjes së ambientit”, tha Rama. “E gjitha ishte si pasojë e një proteste të publikut, e jo pasojë se ishte e kundërligjshme. Klienti e ka fituar edhe gjyqin, por i kam propozuar ta ndërrojë lokacionin me komunën, t’ia japë një vend tjetër komuna. Ishte presion publik, pajtohem me këtë kemi projekte tjera”, tha Rama.

20:49

Rama planifikon ndërtimin e shtatë shkollave gjatë mandatit 4-vjeçar

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se gjatë mandatit 4-vjeçar synon të ndërtojë shtatë shkolla në zona të ndryshme të Prishtinës.

Ai ka thënë se mungesa e shkollave në disa zona, si Veternik, Sofali, apo Mat, që janë zhvilluar shpejt, por kjo nuk është ndjekur edhe me infrastrukturë shkollore. Ai thotë se kjo po ndikon në ngarkim edhe të trafikut.

“Mungesa e shkollave u shkakton prindërve stres vazhdimisht. Në vend se ta kenë një shkollë afër 500 metra, ata duhet të zgjodhën e ta dërgojnë me veturë fëmijën në shkollë. Hynë në trafik. Nga Veterniku e dërgojnë fëmijën në shkollë në Ulpianë, Breg të Diellit apo Dardani. Përveç stresit në trafik, edhe shkollat janë të stërngarkuara. Më pas edhe parkingjet po ngarkohen, e po krijohen edhe stres të prindërit e të fëmijët. Në periudhën 4-vjeçare do të ndërtojmë shtatë shkolla në lagjet që i përmenda, disa janë në projekt, por nuk kanë ndodhur. Do i iniciojmë menjëherë që t’ia mundësojmë lagjeve e prindërve të kenë shkollat për fëmijët e tyre”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë po ashtu se në zonat nga qendra e Prishtinës shkollat duhet të punojnë me dy ndërrime për shkak të stërngarkesës. Ai ka thënë se synon që të mos ketë klasë me mbi 25 nxënës.

“Është me rëndësi të kemi mësim tërëditor e të mos kemi mbi 25 nxënës. Momentalisht kemi dy ndërrime, por nëse bëhet mësimi tërëditor, i pamundësohet fëmijëve tanë të kenë aktivitete ekstra-kurrikulare. Fëmijët tanë duhet të kenë qasje në sport, art e programim, të mundësohet që ata të prezantojnë idetë e tyre në mënyrë publike. Të ngrehim vetëbesimin e fëmijëve tanë. Të kenë mundësi të aftësohen e të ndërlidhen me kulturën, artin e sportit. Në bazë të sportit e kulturës po njihemi ndërkombëtarisht si vend. Të aftësojmë fëmijët tanë, në vend se t’i kemi vetëm tre në sporte, të kemi 100”, tha Rama.


Rama: Do të rifunksionalizojmë 40 për qind të QKUK-së që nuk shfrytëzohet

Përparim Rama sa i përket shëndetësisë, ka thënë se ekziston projekti për ndërtimin e Spitalit të Qytetit nga viti 2007. Lokacioni ishte në Llukar, por do të analizohet nëse ajo pikë është më e mira e mira e mundshme për ndërtimin e Spitalit.

“Po ashtu në QKUK vetëm 60 për qind e hapësirave shfrytëzohet, kemi propozuar të funksionalizohen këto 40 për qind që nuk shfrytëzohen. Të bëhen këto në të mirë të qytetarit të Prishtinës e të bëhen menjëherë”, tha Rama në “Zgjedhjet në Kohë”.

Ndër tjera Rama ka premtuar se do të subvencionojë po ashtu 100 fermerë që merren me bimë shëruese. 


Rama: Nëpërmjet kolektorit dhe “Rrugës A” do ta eliminojmë problemin në “Kalabri

Sa i përket problemit në lagjen Kalabria, Përparim Rama ka thënë se do ta bëjë zgjidhjen për t’u mbyllur ajo gropë dhe larguar era kundërmuese, nëpërmjet një kolektori dhe nëpërmjet ndërtimit të “Rrugës A”.

“Kemi plan konkret që do të iniciohet menjëherë. Rruga A e ndërlidh krejt zonën e Prishtinës, prej pjesës së matit, më pas përfundi Veternikut, e shkon e lidhet me zonën e Kalabrisë e ndërlidhet me një projekt tjetër, zhvillimi i parë i unazës së mesme, Në Kalabri një herë e përgjithmonë do të eliminojmë problemin nëpërmjet kolektorit dhe Rrugës A. I ndihmon trafikut Rruga A e kolektori eliminon rrezikshmërinë e ekziston tash, pasi mund të bjerë ndonjë fëmijë e të mbytet aty. Në raste të tilla, kryetari aktual është dashur ta shpallë zonë me interes publik e të bëhet shpronësimi menjëherë e mandej të merret me aspektin gjyqësor.  Rrezikshmëria është e madhe e kemi programin dhe bëhet zgjidhja”, ka thënë Rama.

20:46

Rama premton subvencionimin e prindërve me 70 euro për çerdhet private

Përparim Rama thotë se synimi i tij është ta transformojë sistemin shkollor në Prishtinë, sipas modelit të Londrës.

“Edukimi i Londrës është në top nivel ndërkombëtar, e mund ta bëjmë këtë edhe në Prishtinë. Kam vizituar shkollat publike, përfshirë atë Hasan Prishtina ku e kam kryer filloren, por edhe çerdhet, kam vizituar çerdhet e në diskutim me pjesëtarë të shumë të zonave të ndryshme të Prishtinës, është ndjerë nevoja për çerdhe publike, thonë se duhen ende çerdhe publike”, tha Rama në “Zgjedhjet në KOHË”.

Mirëpo, Rama thotë se ka takuar OJQ-në që përfaqëson çerdhet private e janë më shumë se 100 sosh. Ai ka thënë se duhet një ndërlidhje dhe mund të bëhet nëse subvencionohen prindërit. Pra nëse muaji në çerdhe private kushton 120 euro e në atë publike 50 euro, atëherë do të subvencionhet prindi me 70 euro.

“Kështu pos që ia mundësojmë prindërve ta dërgojë fëmijën ku të dojë, hapim edhe një treg të madh për aspektin privat. Ngrihet oferta e shërbimit në çerdhet private, pasi duan që të marrin fëmijët, edhe çerdhet publike duhet ngritur nivelin edhe si hapësirë por edhe si shërbim edukues. Niveli i mësuesëve që merren me fëmijët tanë duhet të ngrihet në nivelin më të lartë të mundshëm, pasi fëmijët janë e ardhmja jonë”, ka thënë Rama.

20:41

Rama: Biblioteka pati një impakt të drejtpërdrejtë që u bëra arkitekt

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Biblioteka Kombëtare ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në të që të bëhet arkitekt.

Ai ka thënë se ka një ndërlidhje shpirtërore me Prishtinën. Ndërsa ka treguar se në Ulpianë është lindur dhe shkollën fillore e ka kryer në shkollën “Hasan Prishtina”.

“Pikat fillestare të mia janë të ndërlidhura ngushtë me Prishtinën. Ndërtesa e bibliotekës ka pasur impakt të drejtpërdrejt në vendimin tim për t’u bërë arkitekt. Ose ndërlidhshmëria e hapësirave këtu të shumta publike me arkitekturën që i kam parë në vende të ndryshme të botës, e ndërlidhem se si mund të zhvillojmë ato në Prishtinë. Gjithmonë shkon gjuha ku të dhemb dhëmbi. Mua më dhemb Prishtina, kur shoh nëpër gjithën botën gjëra të mira që ndodhin, se çfarë ndodh atje, jeta e njerëzve në mënyrë më të mirë të mundshme nga shkollimi, e deri te infrastruktura e hapësira publike. Kam parë, kam dëgjuar, kam mësuar e bërë projekte. Mendjen e kam në Prishtinë, si mund të ndërlidhim e ta bëjmë Prishtinën një vend me karakter unik në botë për të mirë të qytetarëve të gjitha grupmoshave”, ka thënë Rama në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai ka treguar për ndikimin që ka pasur gjyqi në të, ndërsa thotë se e sheh Komunën e Prishtinës si tërësi.

“Duhet ta zhvillojmë në tërësi si zonat rurale ashtu edhe urbane”, ka thënë Rama.

Rama ka treguar se nëse bëhet kryetar i Prishtinës atëherë fëmijët e tij do të jetojnë në Prishtinë. Ndërsa ka treguar edhe se si e hapi studion e arkitekturës në Prishtinë në vitin 2004. Thotë se e hapi studion për të qenë më afër nënës, pasi që babai i vdiq.

“Erdha këtu e hapa studion time të arkitekturës në Prishtinë, ajo vazhdon të punojë. Fillimisht e hapa atë që me pas arsye me pa nënën, e shoqërinë time në Prishtinë. Studio është rritur mirë, është shfrytëzuar si ndërlidhje mes Prishtinës, Londrës e botës, na ka mundësuar të kemi qasje në aspektin financiar, të jemi më konkurrent me botën, e kemi marrë projekte në vende të ndryshme të botës, në Afrikë, Australi e Amerikë. Ia kam parë hairin mirësisë. Mendova për diçka të mirë e u kthye më pas në të mira tjera”, ka thënë Rama. “Prishtina gjithsesi është shtëpi për fëmijët e mi. Familja ime do të jetë këtu me mua. Ne vijmë shpesh dhe ata thonë se duan të rrinë këtu”.

20:38

Rama tregon për projektin që stadiumin ta kthejë në liqen

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga LDK, Përparim Rama, thotë se projekti i tij që në mes të kryeqytetit të bëhet një liqen, qëndron. Por, kjo shton ai, është në projektet e tij në të ardhmen, pas vitit 2030. Këtë e sheh fare të lehtë dhe të mundshëm.

Në emisionin Zgjedhjet në KOHË, Rama ka thënë se për stadiumin në katërvjeçarin e parë të qeverisjes ka në plan të rrisë numrin e ulëseve.

“Në programin tonë 2021-2025 nuk kemi aty liqen. Kemi shtesën e 8 mijë ulëseve sepse qytetit tonë i nevojitet stadium më i madh. Ideja është që në aspekt të vizionit duhet të kemi vizion për zhvillimin kryeqytetit në të ardhmen dhe hapësirat që kanë mundësi të shndërrohen në përjetshmëri më të mirë për kryeqytetin atëherë ato ide duhet t’i diskutojmë për to në të ardhmen... Kur i kemi përmbushur nevojat e sportistëve tanë, ku lojët mund të bëhen në mënyrë të dinjitetshme, duhet të mendojmë përtej sentimenteve, për të mirën e të rinjve, duhet të mendojmë në vitin 2030 e përtej. Kjo ka qenë pika që e kam dhënë si ide sepse pikërisht ku është stadiumi bëhen bashkë lumi Vellusha dhe Prishtevka. Shndërrimi i asaj në zonë rekreative, në park me një liqen të vogël është shumë e mundshme, kostoja është tepër e vogël”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se liqeni në vend të stadiumit “Fadil Vokrri” ndodhë vetëm kur të përmbushen planifikimet e tjera dhe se vendimi merret bashkë me qytetarët.

“Por kjo ndodhë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe atëherë vihet në debat publik, vendimet duhet të merren bashkë me qytetarët”, ka thënë ai.

Rama foli edhe për sallën koncertale. Tha se kjo sallë nuk do të jetë në objektin e “Gërmisë”, por në lokacion të ri.

“Mes Pallatit të Rinisë deri tek pjesa e Arbërisë është një zonë 2 hektarëshe dhe aty ka një vend të madh. Jo ku është Gërmia sepse ka probleme të mëdha logjistike, nuk ke si hyn aty. Vendi ku parashihej salla koncertale është gabim i madh për shkak se nën të kalon edhe lumi Vellusha”, ka thënë ai.

Sipas Ramës, salla koncertale duhet të rrënohet e gjitha, ndërsa për lokacionin e ri tha se është marrë vetë ai.

“Është pikë fantastike që nuk i kushton komunës asgjë dhe do bëhet brenda 3 vitesh dhe do të bëhet si konkurs ndërkombëtar”, ka thënë Rama për lokacionin e sallën koncertale.

20:25

Rama kritikon qeverisjen e Shpend Ahmetit, thotë se ka punuar “shkel e shko”

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit lidhur me infrastrukturën rrugore.

Ai ka thënë se punët janë bërë “shkel e shko”, ndërsa shtoi se nga programi i tij 4-vjeçar parasheh që projektet për komunën t’i bëjë me konkurse ndërkombëtare.

“Projektet tona do të bëhen me konkurse ndërkombëtare, do të jetë marketing për Prishtinën. Ta marrim njohurinë e profesionistëve të botës të ndërlidhim me atë të profesionistëve tanë dhe projektet të jenë të mirëfillta, jo hajgare si tash, tash janë bërë vetëm shkel e shko. Puna që është bërë është shkel e shko. Unë dua ta shndërroj Prishtinën në qytet unik”, tha Rama në Zgjedhjet në KOHË.

Rama ka folur edhe për projekte të tjera që parasheh në program. Tha se projektet që po presin prej gati dy dekada të ndodhin, do të ndodhin në qeverisjen e tij, po ta fitojë mandatin.

“Jam këtu që idetë që janë bërë para 17 vjetësh, që kanë mundur ta transformojnë qytetin në një qytet fantastik të Prishtinës, e mos me leju të ndodhë ky kaos, nuk janë bërë, por siç thonë më mirë vonë se kurrë”.

Ai parasheh plan edhe për zonën e Prishtinës së Vjetër. Tha se zonat aty “do shndërrohen në rrugë me kalldrëm, me zejtarë, kafe të ndryshme, çajtore që prezantojnë shpirtin e qytetit”.


Rama parasheh projekt që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë

Kandidati i LDK-së për kryetarin e Komunës së Prishtinës në programin e tij 4-vjeçar ka të paraparë edhe një projekt që do të ndërlidhë lagjen “Arbëria” me Pallatin e Rinisë.

Përparim Rama në Zgjedhjet në KOHË ka thënë se “Arbëria” është e shkëputur nga qendra dhe përmes projektit të tij do të ndërlidhet direkt me qendrën.

“’Arbëria’ e ka një problem të madh, është e shkëputur totalisht prej qendrës. Prej “Arbërisë” për të ardhur në qendër duhet të kalojnë nëpër hekurudha, është e vështirë për njerëzit me nevoja të veçanta. Propozimi ynë e ndërlidhë banorët e Arbërisë përmes kësaj platforme që ndërlidhë platon e Pallatit të Rinisë që më pas ndërlidhet me Grand Hotelin, që i mundëson qasje të drejtpërdrejt pa pasur nevojë ta përdorin makinën”, ka thënë ai.

Rama ka paraparë edhe fondet që do t’i duhen për ta përmbyllur këtë projekt.

“Projekti që parashihet të lidhë Pallatin e Rinisë me ‘Arbërinë’ do të jetë rezultat i fondeve të IPA-së, të cilat do të joshin për shkak të sallës koncertale. Pjesa tjetër 15 milionë do të jetë si proces i kontratës publiko private që do t’u mundësojë bizneseve tona të jenë pjesë e projekteve të mëdha”.

20:15

Rama: Kulmet prej asbesti në disa lagje janë kancerogjene, do t’i eliminojmë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Prishtinës po i mungon menaxhimi i mirë i ndërtesave.

Në emisionit Zgjedhjet në KOHË, Rama ka thënë se shumë ndërtesave në lagjen “Dardania” dhe “Ulpianë’ u mungon izolimi, duke shtuar se edhe kulmet me asbest paraqesin rrezik për shëndetin e banorëve e duhet të eliminohen.

“Prishtinës i mungon një menaxhim i mirë i ndërtesave aktuale, p.sh. në zonën e Ulpianës dhe Dardanisë, dy zona që në aspektin urban e kanë karakterin e kohës modernizmit dhe janë hapësira të banesave në relacion me hapësirat publike janë në proporcion të mirëfilltë, prandaj rezidentët e këtyre kanë jetë më të mirë sepse kanë hapësirë më shumë për fëmijët të luajnë. Por problemi është që fasadimi i objekteve u mungon izolimi, ose problemi me asbest në kulme, që është kancerogjen dhe duhet ta eliminojmë”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se punëtorët në disa ndërtesa në “Lakërishte” po rrezikohen për shkak të tjegullave që thyhen dhe prej tyre dalin grimca kancerogjene. Këtë e quajti papërgjegjshmëri të qeverisjes lokale, ndërsa premtoi se një gjë e tillë do të ndalet, nëse arrin ta fitojë mandatin.

“Është një papërgjegjësi totale e menaxhmentit të sotëm që krijon një rrezik jo vetëm për punëtorët aty (Lakërishtë) por edhe banorët. Kur thyhen tjegullat krijohen grimcat e vogla që janë kancerogjene nëse i thithim. Kjo lloj pune e papërgjegjshme do të ndalet. Procesi i demolimit e ka një rregullore. Aty duhet të ndërmerret shpejt që grimcat të mos dalin nga ajo zonë, dhe të largohen tjegullat që janë kancerogjene”, ka thënë Rama.

Rama ka dhënë një zgjidhje edhe për parkingjet për banorët.

Ai ka thënë se zgjidhja e parkingut do të jetë përmes një leje me të cilën banorët do të pajisen.

“Është një kaos total i parkingjeve sepse rezidentët nuk mund të parkohen në këto zona. Mënyra e zgjidhjes është e thjeshtë, përmes lejes për parkim, çdo rezident e tregon përmes faturave që paguan që aty jetojnë dhe mund të aplikojnë për leje dhe ata që nuk e kanë, nuk mund të parkohen”, tha Rama.

Rama shtoi se planifikon edhe gjashtë parkingje nëntokësore përreth qendrës së Prishtinës. Sipas tij, këto parkingje me qendrën do t’i kenë rreth 5 minuta ecje në këmbë.

“Ridefinimi i qendrës që e kam në plan përcakton edhe 6 parkingje nëntokësore përreth qendrës. Këto pika që e prekin qendrën, ke një distancë përbrenda qendrës së qytetit rreth 5-6 minuta ecje apo maksimum 500metra ecje. Kjo mundëson që secili vizitor, punëtorët që vijnë nga komunat tjera mund të parkohen në këto pika qe të mos e ngarkojnë qendrën. Brenda dy viteve të para kjo do të bëhet e tëra”, ka thënë ai.

20:13

Rama: Prishtina është në kaos total urban dhe të trafikut

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se buxheti për këtë komunë nuk ka qenë kurrë problem për zhvillimin e projekteve. Sipas tij, buxheti nuk është arsyeja pse disa projekte nuk janë zhvilluar në kryeqytet, dhe për të, projekte si ato infrastrukturore mund të kryheshin thjesht.

“Buxheti nuk ka qenë kurrë problem, problem kanë qenë projektet. Ne projektet i kemi, projektet që ndoshta iu duken të mëdha disa personave, nuk janë, janë projekte strategjike që u duhen qyteteve të mëdha, kryeqytetit tonë që në këtë moment është në kaos total urban, posaçërisht në aspektin e kaosit të trafikut. Disa intervenime strategjike infrastrukturore e bëjnë ndërlidhjen e lagjeve dhe e lirojnë Prishtinën nga kaosi i trafikut. Në aspektin e buxheteve, e kemi deri tash jo që është mjaftueshëm por është kthyer, por kemi edhe fonde të tjera që mund t’i marrim edhe nga BERZH-i, IPA”, ka thënë ai në emisionin Zgjedhjet në KOHË.

Rama ka thënë se komuna ka fonde dhe se në programin e tij thotë se e ka paraparë edhe aspketin financiar për projektet që do të ndërmarr nëse fiton garën për të parin e Prishtinës.

Sipas Ramës, “nuk ka asgjë të vështirë” në përfundimin e projekteve dhe se për to “duhet vetëm vizioni”.

Ai foli edhe për rastet sociale. Shtoi se do të merren seriozisht me personat që janë raste sociale.

“Kemi punuar me ekip që Prishtina është për të gjitha. Programi ynë duhet të merret me të gjithë pjesëtarët e komunitetit, posaçërisht personat që janë në nevojë sociale. Në programin tonë e kemi pjesën ku merremi me këtë aspekt në mënyrë serioze që t’i inkorporojmë si pjesë e shoqërisë”.