3 perditesime
21:03

Sipas AAK-së, në Fushë-Kosovë ka nevojë edhe për dy shkolla e dy çerdhe të reja

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se në Fushë-Kosovë ka nevojë për ndërtimin edhe të dy shkollave dhe dy çerdheve. Kandidati i kësaj partie për të parin e kësaj komune, Hasan Ismajli, ka thënë se nevoja për më shumë shkolla është për shkak të “mbipopullimit”.

“Edhe është ndërtuar shumë në Fushë-Kosovë, por edhe çmimi është me kosto përgjysmë në krahasim me Prishtinën. Njerëzit janë strehuar dhe e kanë Prishtinën afër e punësimi është më i lehtë. Shkolla s’ka mjaftueshëm. Fushë-Kosova ka nevojë edhe për dy shkolla e dy çerdhe”, ka thënë ai.

Dy shkolla e dy çerdhe i ka përmendur edhe kandidati i Vetëvendosjes, Enver Bajçinca. Pos tyre, ai ka premtuar edhe digjitalizim të shkollave e shujta për ciklin e ulët.

21:00

Tërnava: Fushë-Kosova do të jetë qyteti më i shëmtuar në vend nëse vazhdon qeverisja e njëjtë

Rrahim Tërnava, kandidat i PDK për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, premton se do ta ndryshojë gjendjen me ndërtimet në këtë qytet po qe se fiton mandatin në zgjedhje.

Në Zgjedhjet në KOHË – Debati për Fushë-Kosovën, Tërnava ka thënë se nëse vazhdon qeverisja e njëjtë atje, Fushë-Kosova do të ëbhet qyteti më i shëmtuar në Kosovë.

“Në komunën tonë është ndërtuar aq keq sa në 2021 të ndërtohen ndërtesa ngjitur, duke zënë ballkonet, ndriçimin, pa gjelbërim, pa ndriçim, duke i tejlaku standardet e ndërtimit, jemi ardhë në një katrahurë ku qyteti po bëhet i pajetueshëm. Nëse vazhdon kjo kastë politike ta udhëheqë komunën tonë, ne do të bëhemi një geto i gjithë Kosovës, do të jetë qyteti më i shëmtuar në krejt Kosovën për shkak të ndërtimeve të jashtëligjshme, keqpërdorimeve dhe kastës së korruptuar dhe krimit të organizuar që e menaxhojnë komunën tonë. Ne sigurojmë se këtë do ta rregullojmë dhe nuk do të lejojmë më që ndërtimet t’i udhëheqin krimet e organizuara dhe ta udhëheq edhe kryetari bashkë me ta”, ka thënë Tërnava.

Tërnava shtoi se Fushë-Kosova nuk funksionon normal dhe se qytetit i duhet një kryetar që i di punët mirë.

20:54

Bajçinca: Kemi kaos në Fushë-Kosovë sa i përket rregullimit urban

Kandidati i VV-së për Komunën e Fushë-Kosovës, Enver Bajçinca, ka thënë se në planprogramin e tij qeverisës parasheh që të bëhet ndërtime të reja në këtë qytet. Ai ka thënë se aktualisht është një kaos sa i përket rregullimit urban.

“Do ta parashohim ndërtimin e zonave të reja. Administrata të paraprijë me përgatitjen e infrastrukturës para se të ndodhë ndërtimi, hapjen e kanaleve, vendosja e gypave të ujësjellësit, kabllove të internetit, kabllot e energjisë elektrike, etj. Ndërtesave të reja t’u ofrojmë edhe objektet tjera përcjellëse shëndetësore. Deri tash kemi kaos, sidomos në lagjen Dardania. Nuk kemi shumë çfarë të bëjmë në lagjen Dardania, por kemi parapara të bëjmë lehtësim të jetës në këtë lagje, me zgjerimin e kapaciteteve të kanalizimit. Nëpër fshatra kemi problem me kanalizim”, ka thënë ai.

Bajçinca foli edhe për zhvillimin ekonomik të komunës. Në Debatin për Fushë-Kosovën në KTV tha se ndër tjerash parasheh që tregun në Bresje ta rregullojë.

“Me bizneset do ta formojmë qendrën e inovacionit që t’i përkrahim të rinjtë dhe gratë, dhe një qendër të arsimit profesional. Kemi paraparë rregullimin e tregut që është në lagjen e Bresjes. Kemi menduar krijimin e një tregu mobil në lagjen Dardania. Subvencionimin e bizneseve prodhuese që të depërtojnë në tregje ndërkombëtare që pastaj mund ta rrisin punësimin dhe prodhimin. Kemi paraparë një zyrë për tërheqjen e investimeve direkte, krijimin e fondit për mbrojtjen e prodhimtarisë bujqësore dhe fermerët, ngritjen e kapaciteteve prodhuese”, tha ai.

20:44

Kandidatët për kryetar të Fushë-Kosovës premtojnë ujë të pijshëm e rregullim të infrastrukturës

Kandidatët e partive politike për kryetar të Fushë-Kosovës në zgjedhjet e 17 tetorit kanë premtuar një sërë ndryshimesh në këtë komunë.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Rrahim Tërnava, ka thënë se prioritet ka arsimin, kulturën rininë dhe sportin. Ai ka thënë se në mandatin e tij, do të investohen 3 milionë euro në këto tri fusha.

Tërnava po ashtu ka thënë se do të bëjnë investime në infrastrukturë në vlerë prej mbi 8 milionë euro, dhe ka premtuar transport publik falas për të gjithë banorët e Fushë-Kosovës.

“Prioritet kemi në arsim, kulturë rini dhe sport. Kemi paraparë 3 milionë euro në mandatin tonë për t’i investuar në këto tri fusha. Në shëndetësi dhe qendrat sociale, janë paraparë mbi 2 milionë euro. Në infrastrukturë, edhe aty kemi parë mbi 8 milionë euro, në ambient ku është ndotja më e madhe në Kosovë në komunën tonë, pasi thithim ajrin më të keq, pasi kemi Obiliqin dhe veturat e shumta që qarkullojnë në komunën tonë. Do të ofrohet transport publik falas për të gjithë qytetarët në komunën tonë, në mënyrë që të mos lëvizin me vetura, duke ndotur kështu më shumë ambientin”, ka thënë Tërnava në “Zgjedhjet në KOHË” në KTV.

Ai po ashtu ka thënë se do të të ofrojnë një zonë të lirë që do të bëhet zonë e transportit të mallrave, në Miradi të Epërme.

Enver Bajçinca, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Fushë-Kosovës ka thënë se uji dhe infrastruktura janë prioritete të tij, nëse e fiton një mandat në krye të kësaj komunë.

Bajçinca ka thënë se ka paraparë gjashtë shtylla në programin e tij.

“I kam renditur gjashtë shtylla të programit, kemi paraparë investime kapitale në ngritjen e cilësisë në arsim, krijimin e infrastrukturës dhe përkrahjen e aktiviteteve të kulturës dhe sportit. Kemi paraparë përkrahje për bizneset dhe agrobizneset. Të gjitha në total investime kapitale janë 27 milionë euro”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Hasan Ismajli, ka thënë se uji i pijshëm dhe infrastruktura janë dy problemet kryesore në Fushë-Kosovë.

Ismajli ka përmendur 7 shtylla që ai i ka quajtur kryesore në programin e tij.

“Kam 7 shtylla: bujqësia, ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, sporti, shërbimet publike dhe administrata. Kisha filluar nga infrastruktura. Meqë tani ka kaluar para një viti harta zonale, ato na ndihmojnë te ruajtja e infrastrukturës e cila deri sot nuk është ruajtur. Pjesë tjetër është te shërbimet publike. Në shërbimet publike kemi problem trotuaret që janë të uzurpuara pasi një pjesë e lokaleve janë të ndërtuara jashtë. Pjesa tjetër është që në një pjesë ku ka filluar ndërtimi i ri, aty duhet të jetë strikt ruajtja e infrastrukturës, të zgjerohen rrugët”, ka thënë Ismajli.