5 perditesime
20:57

Hoxha: Znj. Kusari e z. Gjini, arsyet pse po kandidoj për kryetar të Gjakovës

Kandidati i NISMA-s për kryetar të Gjakovës, Fazli Hoxha, ka thënë se arsyet që e kanë shtyrë atë të kandidojë për kryetar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, janë kryetari Ardian Gjini dhe ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Hoxha ka thënë se po të kishte qeverisje të mirë në Gjakovë nuk do të kandidonte.

“E dimë se Qeveria e ka obligim që të bëjë investime në gjitha qytetet, por varet nga gatishmëria e kryetarit të komunës dhe se sa insistues e bashkëpunues është. Në rastin konkret dy banesa kanë mundur të ndërtohen në Gjakovë po të isha unë kryetar. Në kohë të Qeverisë në katër vjetët e fundit, NISMA e ka drejtuar ministritë e Arsimit, atë të Tregtisë dhe të Punës e Mirëqenies Sociale. Ka pasur mungesë interesimi nga komuna që t’i drejtohet ministrive me kërkesa. Mungesë e kryetarit të bashkëpunojë. Nuk realizohen projektet në mënyrë individuale. Po të kishte qeverisje të mirë, unë nuk do të dilja kandidat për kryetar komune. E kam thënë publikisht se arsyeja pse jam kandidat për kryetar komune është znj. Kusari e z. Gjini. Të dy kanë qeverisë keq me Gjakovën. Kjo më ka nxitë e ka pasur kërkesa nga qytetarët”, ka thënë Hoxha në “Zgjedhjet në KOHË” – Debati për Gjakovë.

20:47

Kusari-Lila e Shala përplasen për projektin e unazës në Gjakovë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës, Teki Shala dhe kandidatja e Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, janë përplasur në lidhje me projektin e unazës në Gjakovë.

Shala në “Zgjedhjet në KOHË” – Debati për Gjakovë, ka kritikuar Kusari-Lilan, duke thënë se ajo është mosmirënjohëse.

Shala ka akuzuar Kusari-Lilën për dështimin e projektit të ndërtimit të unazës në hyrje-dalje të Gjakovës.

“Kemi çështjen për projekte të rëndsishme. Komuna edhe unë kur isha në qeverisje me znj. Kusari, kishim bashkëpunim me Qeverinë Mustafa, që fatketësisht kjio nuk është mirënjohëse e thotë se nuk ka pasur. Nuk është ashtu, edhe unë isha pjesë. Qeveria Mustafa bëri përpjekje maksimale, me z. Hoti ministër të Financave në atë kohë, na ka mbështetur dhe kemi arritur që të jetë garantuese për marrjen e kredisë. Por me ardhjen në pushtet të Aleancës ajo tha i bëjmë vet, e sot ja ku është gjendja. Fjala është për kredi për projekt për hyrje-dalje në Gjakovë, ndërtimin e unazës. Kemi mundur ta zgjidhim me 23-24 milionë euro, që kemi pasur edhe grant nga BERZH-i edhe nga Qeveria. Mund të zgjidhnim sot këtë çështje e do të ndikonte në zhvillim ekonomik”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se edhe për ngrohtoren e qytetit, Qeveria Mustafa e ka përkrahur, pasi që në marrëveshjet ndërkombëtare qeveria është garantuese.

Ai ka thënë se burimi kryesor janë bashkëatdhetarët.

“Sot ata kanë shfaqur gatishmëri për me investuar në Gjakovë, por fatkeqësisht nuk kanë ku të drejtohen”, tha ai.

E ish-kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria Mustafa ka qenë jo vetëm penguese por edhe bllokuese.

“Gjakova do të kishte strukturë tjetër, infrastrukturë e zhvillim ekonomik, po të mos ishte Qeveria Musafa. Ka marrë kërkesa e projekte vazhdimiësht nga ne. Për projektin në fjalë, atë të unazë, sikur të merrej parasysh nga Qeveria Mustafa atëkohë, pasi i kemi kërkuar dhe i kemi dërguar edhe fizibilitetin e kemi filluar bisedimet me BERZH-in, ai projekt do të dilte nga kompetencat e komunës. Do të vendosej për të në Qeveri e nuk do të kishte pastaj kapacitet Ardian Gjini, që ta anulonte në Asamble Komunale. Megjithatë ne kemi marrë barrën mbi vete, për arsye se ishte konferenca vjetore e BERZH-it në Londër e kam kërkuar vazhdimisht në projekte strategjike që i prezanton qeveria, të prezantohet edhe ky projekt. Përgjigja më është kthyer negative nga ministri i atëhershëm Avdullah Hoti. Po flasim për vitin 2016. Më 2016 pastaj kishim forumin e kryetarëve të komunave perëndimore dhe pata bisedë me Gazmend Muhaxherin e Pejës nga LDK-ja. I tregova se kam kërkuar nga Qeveriatë marrë këtë prezsantim në Londër. Më tha vërtetë, pasi më pyetën mua dhe unë s’pata çfarë t’u japë. Ky ishte komunikimi e trajtimi i komunave nga Qeveria Mustafa. Me keqardhje, në fakt nëse kanë menduar se më dëmtojnë mua politikisht, e kanë dëmtuar qytetarin e Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila. 

20:29

Hoxha: Pozita e kryetarit të Komunës nuk duhet t’u shërbejë tre a katër personave

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjakovës nga partia NISMA, Fazli Hoxha, ka shpalosur planet që ka nëse fiton mandatin si i pari i kësaj komunë në zgjedhjet të dielën.

Në Zgjedhjet në KOHË -Debati për Gjakovën, Hoxha tha se do të mbulojnë shpenzimet për varrezat.

“Pozita e kryetarit të komunës nuk duhet të shihet si pozitë që tu shërbejë 3-4 personave që e kanë një afërsi me kryetarin e komunës, por duhet të jetë planifikim i mirëfilltë që kthehet me investime të ndryshme. Kemi planifikuar të bëjmë mbulueshmërinë për shpenzimet për varrezat, që në kohën kur ka qeverisur Kusari-Lila ka qenë ky vendim, ndërsa me ardhjen e Ardian Gjinit është tërheq prej atij vendimi dhe kemi mbulueshmërinë për shpenzime vetëm te rastet sociale. Këtë ne do ta bëjmë”, tha ai.

Hoxha ka thënë se parasheh që ta bëjë një shtëpi për pleq, e në program parasheh edhe ndërtimin e dy banesave të tjera sociale.

Kemi planifikuar ta ndërtojmë një shtëpi për pleq në qytetin e Gjakovës dhe do të ndajmë subvencione për blerjen e shërbimeve për pleq që kanë mbetur pa përkujdesje. Kemi planifikuar të ndërtojmë dy banesa sociale. Në banesat që i shfrytëzojnë aktualisht banorët që janë të vendosur, 48 familje janë vetëm 8 familje të dëshmorëve. Ne do ta formojmë një komision, të bëhet rivlerësimi i atyre familjeve sepse 98 për qind e atyre familje i kanë shtëpitë të rregulluara në fshat dhe banojnë në banesa sociale. Këtu e kemi vërejtur se kanë ndodhur ndërhyrje të komisionit që e ka bërë vlerësimin për vendosjen e atyre familjeve”, tha Hoxha.

20:21

Shala: Do ta hartojmë planin zhvillimor komunal, të cilin Gjakova s’e ka pasur qe 8 vjet

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjakovës nga LDK, Teki Shala, thotë se si krytar i ri, nëse zgjidhet, do ta hartojë dhe miratojë planin zhvillimor komunal. Një plan të tillë, sipas Shalës, Gjakova nuk e ka pasur asnjëherë e që thotë se kjo është bërë për shkak se pushtetet e mëparshme kanë dashur të veprojnë sipas bindjeve politike.

“Kemi vërejtur se është gjendje jo e mirë në terren. Puna e parë që duhet të bëhet është hartimi dhe miratimi i planit zhvillimor komunal. Gjakova sot e tetë vite nuk ka një plan zhvillimor komunal, kjo ka ndikuar të kemi kaos urbanistik në qytet dhe fshat. Plani zhvillimor tregon Gjakovën ku do të shkojë deri në 10 vite, e kjo i ka konvenuar pushteteve që mos të miratohet ky plan që të veprojnë sipas bindjeve politike, të bëhen ndërtime pa kriter. Hartimi dhe miratimi i këtij plani është urgjent dhe pastaj duhet të hartohen edhe hartat zonale dhe planet rregullative nëpër fshatra”, tha ai.

Në Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjakovën, Shala premton se do ta përmirësojë infrastrukturën e shërbimet publike.

“Tjetër është përmirësimi i infrastrukturës he shërbimeve publike. gjakova është qytet ku nuk menaxhohen mirë mbeturinat. Kemi stacionin transfer ku minoritetet banojnë afër aty de janë në gjendje kritike. Në lagjen Qerim është një pjesë e qytetit me mbi 400 shtëpi që as nuk e di nëse është vizituar ndonjëherë, nuk ka infrastrukturë, ndriçim e asgjë përpos investimit në qendra”, ka thënë Shala.

20:14

Kusari-Lila premton parqe industriale për rritjen e punësimit dhe investimeve

Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se do të fokusohet në projektet infrastrukturore për zhvillimin ekonomik, nëse fiton garën.

Në Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjakovën, Kusari-Lila ka thënë se problemet janë serioze në këtë komunë.

“Ka qenë përpjekje e vazhdueshme e imja në mandatin e parë, nuk është mbështetur asokohe nga qeveria Mustafa, krijimi i parqeve industriale. Në komunën e Gjakovës ekziston ende infrastruktura e fabrikave që nuk janë privatizuar dhe me ndalimin e procesit të privatizimit dhe shkarkimin e vendosjen e bordit të ri, fillimin e përgatitjen për fondin sovran, me qeverinë jemi dakorduar që Metaliku dhe Virxhinia që janë komplekse industriale në territor të Gjakovës, ato të kthehen në parqe industriale në shërbim të kompanive prodhuese dhe shërbyese të komunës. Këtë e shohim si iniciativën e parë për rritjen e punësimit dhe tërheqjen e investimeve”, ka thënë ajo.

Plane të tjera, përmendi ndërlidhjen e edukimit me ndërmarrësinë, ngritjen e aftësimin profesional, ndihmën për artizanatin, ngritjen e gruas, etj.

20:10

56 shtëpi të Gjakovës pa rrugë të asfaltuar

Përgatiti: Jehona Gjinovci

Me baltë e pluhur përballen çdo herë që dalin nga shtëpia.

Banorët e 56 shtëpive të lagjes Qerim të Gjakovës ankesën më të madhe e kanë rrugën e pashtruar.

Premtimi boshe sipas tyre kanë marrë çdo herë gjatë fushatave zgjedhore nga të gjitha partitë, por që nuk u realizuan asnjëherë.

Shtrimi me zhavorr dhe mbulimi i gropave herë pas here në rrugën “Martin Dinaj” bëhet zakonisht nga vetë lagjja.

“Në lagjen tonë jetojmë bukur shumë banorë. Nga komuna na kanë premtuar shumë por asnjëherë nuk ka pas asgjë. As nuk kemi kanalizim, ujin e pijes e kemi të dobët, pak shtypje. Le që rruga është kryesore, na kanë premtuar 5-6 herë kur vije puna e votës por kurrgjë nuk ka, asnjë guri se kanë marrë prej asaj ane me qitë në këtë anë, diqysh si mbas shpinës së Zotit. Në fshatrat deri te dera e ahurit e kanë bërë asfaltin e ne në mes të Gjakovës jetojmë shumë keq, si dalin fëmijët e tanë s’kanë ndriçim, dalin qentë endacak”, thotë Avni Balaqi, qytetar i lagjen Qerim në Gjakovë.

Shkumbin Sokoli, një tjetër banor i kësaj lagje tha se kanë bërë kërkesa, por zgjidhje nuk u është bërë.

“Jemi diku 56 shtëpia, 320 banorë. Rrugën nuk e kemi të shtruar, kemi bërë kërkesë disa herë, janë bërë projektet, e kemi bërë kërkesën si lagje, premtimet jo sot, jo nesër dhe ende nuk kanë ardhur. Ndriçim nuk kemi hiq, përmbi dy kilometra. Ka qen endacak me shumicë.”

Sipas banorëve, ditë më parë është vendosur një tabelë ku është paralajmëruar fillimi i punimeve, por ditë më pas ajo është larguar së bashku me zhavorrin që kishin blerë banorët për të mbuluar vendet ku ka nevojë.

Përveç rrugës, ata nuk kanë as rrjet të kanalizimit.

Kjo sjellë problem për shkak të erërave të rënda që vjen nga lumi.

“Kanalizimin e kemi katastrofë, çdo shtëpi i kemi kanalizimit veç e veç dhe ajo që është të gjitha ujërat derdhen në lum, është e ndaluar po ne nuk kemi ku me dërguar”, thotë Sokoli.

Reagime ndaj komunës së Gjakovës ka pasur nga INPO. Sipas tyre, kjo komunë ka bërë nënshkrimin e një kontrate për procedurë të negociuar pa publikimin për kontratë.

“Bëhet fjalë për projektin sanimi/ndërtimi i rrugëve me asfalt, pra ku vlera e projektit ka qenë mbi 800 mijë euro. Komuna ka negociuar direkt me një operator ekonomik ja ka dhënë kontratën dhe kjo procedurë është e ndjeshme për faktin nuk ka drejtë se çmimet janë gjithmonë më të larta se të tregut sepse nuk ka konkurrencë nga operatori ekonomik, duhet të njoftohen dy ditë më herët që autoriteti rregullativ ka të drejtë të përdorë”, tha Qëndrim Arifi nga INPO.

Ndryshe ankesa të qytetarëve të Gjakovës është papunësia.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Gjakovë mbi 5 mijë banorë kanë kërkuar punë gjatë muajit mars të këtij viti. Përderisa gjatë pandemisë numri i punëkërkuesve në këtë qytet ishte mbi 10 mijë.