Sot, në Prishtinë: Instalacion dhe marsh për ata që mungojnë

Sot, në Prishtinë: Instalacion dhe marsh për ata që mungojnë

30 August 2019 09:28

Kanë kaluar 20 vite nga lufta e fundit në Kosovë ndërsa çështja e mbi 1,600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur dhe familjarët e të pagjeturve dhe shoqëria kosovare vazhdojnë të përballen me mohimin e të drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Neglizhenca institucionale 20 vjeçare drejt çështjes së pagjeturve ka lënë në pritje dhe ankth të përditshëm mbi 1000 familje kosovare.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut sot ka ftuar qytetarët që t’ju bashkohen në ekspozimin e instalacionit te New Born dhe në marshin e dytë në Kosovë për personat e pagjetur për të kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat, pa dallim etnie.

“Është përgjegjësi e secilit prej nesh që të ngrisë zërin për personat e pagjetur dhe familjarët e tyre. E vërteta dhe drejtësia për personat e pagjetur duhet të vihet në vend. Shoqëria kosovare nuk do të mund të arrijë pajtim dhe paqe të qëndrueshme pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur”, thuhet në njoftim.

Marshi do të fillojë te monumenti New Born ku do të ekspozohet një instalacion. Pastaj, do të marshojmë përgjatë shesheve kryesore në Prishtinë drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Secili pjesëmarrës i marshit do të mbajë një pankartë me emrin e një personi të pagjetur. Pankartat do të ofrohen nga aktivistët e YIHR KS afër monumentit New Born.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme