Bardhoshi në hall me ujërat e zeza, ujësjellësi thotë se problemet po shkaktohen nga qytetarët

31 August 2019 21:41

Në rrugën “Ballshi”, të fshatit Bardhosh, ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe.

Selman Pajaziti, banor në këtë fshat, thotë se tash e gjashtë muaj po përballen me problemin e njëjtë. Sipas tij, ata kanë kërkuar ndihmë edhe nga ujësjellësi rajonal, por që nuk u ka gjetur zgjidhje.

Ai thotë se të jetuarit në këtë gjendje u ka shkaktuar edhe probleme shëndetësore, raporton KTV.

Të njëjtin hall e ka edhe Zenel Berisha, shtëpia e të cilit gjendet pak metra larg vendit ku kanë dalë ujërat e zeza.

Ai tregon se përfaqësuesit e ujësjellësit u kanë thënë që duhet ta zgjidhin këtë çështje me mjete vetanake.

Në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” thonë që u janë përgjigjur gjithmonë thirrjeve për zhbllokim të kanalizimit.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit iu janë përgjigjur çdoherë konsumatorëve të lagjes në fjalë, por për shkak të bllokimit të madh të pusetës aty nga gjësende të ngurta, ka qenë disa herë e pamundur ta kryejnë plotësisht punën” ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KUR “Prishtina”

Ajo ka shtuar se KUR “Prishtina” është duke verifikuar nëse ky rast, për t’u zgjidhur, i takon komunës, konsumatorit apo vetë ujësjellësit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme