Ahmeti s’u përgjigjet ftesave të banorëve të “Matit 1”, e quajnë “mosguximtar për ballafaqim”

03 September 2019 11:22

Ftesa të hapura i kanë bërë kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, banorët e “Matit 1” për debate, por, Ahmeti s’po i përgjigjet.

“Ikës i përgjegjësisë e mosguximtar për ballafaqim”, i kanë dhënë epitet banorët që s’po shohin asnjë lëvizje prej kryetarit të kryeqytetit. Thonë se në vazhdimësi, ai po i injoron.

Në një faqe në Facebook, ku janë të anëtarësuar banorët e kësaj lagje, ata i kanë paraqitur problemet dhe neglizhencën e Ahmetit.

“#Mirëmëngjes, Kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend A. Ahmeti. Kjo është rruga “Muharrem Fejza”, lagjja “Mati1”. Kjo është përditshmëria jonë. Vazhdo të na injorosh, vazhdo të mos përgjigjesh në ftesat tona për debat, ama siç e din ne jemi votuesit. Harroje që e harrojmë sjelljen tënde ndaj nesh. Harroje që të falin të moshuarit, nxënësit, prindërit, nanat me karroca, ne taksapaguesit, kontribuesit në buxhetin të cilin ti ke përgjegjësi ta menaxhosh! Mos i harro ligjeratat tua për qytetari aktive! Sot je kthyer në mohuesin më të madh të çdo iniciative qytetare, sot, ti po mohon të drejtën për të të pyetur dhe dëgjuar. Një ikës i përgjegjësisë, një mosguximtar për ballafaqim, ja kështu po të shohim në lagjje!”, thuhet në një publikim nga njëri banor, që duket se flet në emër të lagjes.

Dy thirrje publike i ka pasur kryetari Shpend Ahmeti nga banorët e kësaj lagje.

Ato kanë ardhur në adresë të portalit Koha.net me thirrjen “Eja në tubim”, derisa ai s’është përgjigjur.

Lexo edhe: Banorë të “Mati 1” i bëjnë thirrje kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti “Eja në tubim”!

Edhe pas publikimit të fundit të thirrjes së banorëve, që u bë sot, Ahmeti s’është përgjigjur.

Koha.net ka kërkuar përgjigje nga kryetari Ahmeti nëse ai do t’i përgjigjet thirrjes së tyre, por ai s’është përgjigjur as sot.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agim krasniqi10/09/2019 10:03

Ahmeti i pergjigjet Devollve dhe te tjerve si ata.

Shto koment

Të ngjashme