Komuna e Prishtinës thotë se objekti i gjimnazit “Ahmeti Gashi” është i papërshtatshëm, aty do të ngrihet shkollë e re Foto: Koha

Komuna e Prishtinës thotë se objekti i gjimnazit “Ahmeti Gashi” është i papërshtatshëm, aty do të ngrihet shkollë e re

Leonita Bajrami 05 September 2019 12:12

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala ka mbajtur një konferencë për media lidhur me problemet në Gjimnazin "Ahmet Gashi".

Ajo sqaroi problemin e rrënimit të shkollës duke thënë se ndërtesa nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim.

"Ne e kemi vlerësuar se objekti nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim dhe rrezikohet jeta e fëmijëve", tha ajo, raporton KTV.

E në anën tjetër Ferid Fazliu inxhinier nga Drejtoria e investimeve kapitale tha se një kompani ka vlerësuar strukturën e objektit të shkollës dhe ka marrë vendim të rrënohet.

"Kompania e ka bërë një raport në të cilin thuhet që objekti nuk ka stabilitet. Është ndërtuar në vitet e '60 dhe tashmë janë dëmtuar shtyllat e objektit. Nga ky aspekt ata kanë ardhë në përfundim që duhet të rrënohet objekti dhe ndërtohet një i ri”, tha ai.

Më tutje Shala tha se patjetër do të ndërtohet shkollë në atë lokacion.

"Ne kemi dalë nga një takim me këshillin drejtues të shkollës dhe nxënësit e i kemi siguruar se aty do të ketë ndërtim të shkollës”, tha tutje.

Ajo shtoi se dislokimi i nxënësve është bërë për shkaqe të sigurisë. E pastaj ka siguruar se nuk do të ndërtohet një qendër tregtare siç flitej.

Komuna e Prishtinës ende nuk e ka një vendim zyrtar për ndërtim të ndonjë objekti në lokacionin e gjimnazit “Ahmet Gashi”.

Ndërkaq, Adrian Berisha, anëtar i Kuvendit Komunal tha se Lëvizja Vetëvendosje po manipulohet me nxënësit e gjimnazit.

"Është e tmerrshme se si nxënësit e shkollës po manipulohen nga paritë politike. Po e kam fjalën për Vetëvendosjen dhe kam fakte për këtë" ka thënë Berisha.

Objekti i Gjimnazit "Ahmet Gashi" pritet të rrënohet për shkak se siç thonë nga Komuna është i vjetër dhe rrezikon nxënësit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme