Gashi akuzon Komunën e Prishtinës se s’u bë gati për vitin shkollor, kundërshton rrënimin e “Teknikës”

Gashi akuzon Komunën e Prishtinës se s’u bë gati për vitin shkollor, kundërshton rrënimin e “Teknikës”

06 September 2019 11:18

Këshilltari komunal në Prishtinë, nga radhët e LDK-së, Agim Gashi, ka akuzuar Komunën e Prishtinës se nuk i bëri përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor 2019/20.

Sipas tij, “planifikimi i keq i buxhetit për vitin 2019 dhe realizimi i ulët bëri, sidomos në fushën e arsimit, që komuna e Prishtinës të mos përmbush obligimet themelore për fillimin normal të vitit të ri shkollor”.

“Pos tjerash, qeveria komunale nuk rinovoj në përmasa të nevojshme objektet shkollore e posaçërisht objektin e gjimnazit ‘Ahmet Gashi’ apo siç është i njohur në mendësinë qytetare objektin e ‘shkollës teknike’. Pra, ky objekt, është pjesë integrale e zonës së mbrojtur të Prishtinës dhe, ashtu siç është, së paku vizuelisht, kur qytetari kalon aty pari, duhet të ketë parasysh atë pamje origjinale të asaj lagjeje sepse ashtu i është mësuar syri. Sepse kjo është vlerë trashëgimore. Kjo dhe është vlera e asaj lagjeje”, ka thënë Gashi.

Edhe me Planin Rregullativ, sipas tij, ajo zonë trajtohet si zonë e mbrojtur.

“Dhe merreni me mend, nga zyrat e qeverisë të komunës së Prishtinës del informata se do të rrënohet ai objekt që i përket zonës së mbrojtur. Dhe lajmi merr dhenë. E nxënësit dalin në protestë. Bllokojnë rrugët. Kjo katrahurë më bënë të ndjehem keq. Pse ndodhë gjithë kjo papërgjegjësi e qeverisë komunale në raport me komunitetin arsimor dhe në raport me qytetarët e vet?”, ka thënë Gashi.

“Do të ndjehej me korrektësi nga të gjithë, po qe se, me kohë, komuna do siguronte mjetet dhe do merrte masat profesionale dhe buxhetore për renovimin e atij objekti dhe, për këtë do të njoftonte qytetarët e vet, nxënësit e mësimdhënësit e kësaj shkolle”, ka thënë më tej ai.

E sipas tij, kjo do të cilësohej si korrektësi dhe përpjekje reale për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor si obligim ligjor i qeverisë komunale dhe kryetarit të saj.

“Mosinvestimet në fushën e arsimit dhe mosgatishmëria për të qeverisur racionalisht na e kujtojnë thënien e Toni Blerit, citoj ‘Si është arsimi sot, është kombi nesër’”, ka thënë Gashi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme