Komuna nuk tërhiqet, “Ahmet Gashi” do të rrafshohet

Komuna nuk tërhiqet, “Ahmet Gashi” do të rrafshohet

06 September 2019 15:42

Pas raportimit të ngjarjeve lidhur me gjimnazin “Ahmet Gashi”, Komuna e Prishtinës reagoi sërish duke sqaruar veprimet që kanë ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

Para se të tregojnë veprimet e tyre, Komuna thotë se zhvendosja e nxënësve do të bëhet menjëherë, pasi nuk bëjnë kompromise me sigurinë e jetës së fëmijëve tanë.

Sipas njoftimit për media, Komuna thotë se vendimi për dislokimin e përkohshëm të nxënësve është marrë në muajin qershor, mbi raportin e vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, i cili tregon se objekti nuk i plotëson kushtet teknike, statike e sizmike për vazhdimin e mësimit aty dhe se paraqet rrezik potencial për shembje, marrë parasysh se ka dëmtime të thella në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës.

“Paraprakisht është organizuar takimi me tre drejtorët e shkollave ‘Ahmet Gashi’, ‘Emin Duraku’ e ‘Sami Frashëri’ në mënyrë që të krijohen dhe koordinohen kushtet për punë pa pengesa, për nxënësit dhe mësimdhënësit. Në atë takim, të gjithë janë dakorduar që dislokimi i nxënësve të fillojë më 2 shtator 2019. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të shkollës, me datën 17 korrik, është diskutuar vendimi i Komunës për dislokim, dhe informata është përcjellë tek të gjithë pjesëmarrësit”, thuhet në komunikatë.

Përkundër pretendimeve se askush nga Komuna nuk është takuar me protestuesit, në komunikatë thuhet se dje pas protestës para ndërtesës së Komunës, kryetari Shpend Ahmeti bashkë me drejtoreshën Shpresa Shala kanë takuar edhe përfaqësuesit e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorin e gjimnazit “Ahmet Gashi”.

“Në takim është diskutuar dhe sqaruar situata e krijuar. Po ashtu, u dakorduam se do të bëhet rivlerësimi i stabilitetit të objektit i cili do të ndihmojë të vendoset nëse objekti ka nevojë për renovim të tërësishëm apo rindërtim nga e para. Për më tepër, drejtoresha e Arsimit Shpresa Shala mbajti konferencë para të gjitha mediave, të cilat për fat të keq, nuk arritën të raportojnë dhe informojnë drejt dhe qartë këtë temë, duke i dhënë një kahje krejtësisht të gabueshme në publik”, thuhet në komunikatë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme