Disa nga tregtarët kundërshtojnë projektin për Tregun e Gjelbër në Prishtinë

Disa nga tregtarët kundërshtojnë projektin për Tregun e Gjelbër në Prishtinë

28 January 2020 11:45

Shfrytëzuesit e lokaleve në Tregun e Gjelbër sot kanë protestuar para komunës së Prishtinës lidhur me projektin e tregut të ri.

Sipas tyre plani i ri për tregun i dëmton bizneset. Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve të Prishtinës, Enver Pakashtica tha se lidhur me projektin e tregut të ri këta si zejtarë nuk janë njoftuar fare.

Derisa nuk e dinë se çka do të ndodhë me fatin e tyre, Pakashtica thotë se ditët në vijim presin të takohen me kryetarin e Komunës së Prishtinës.

Madje ai thotë se lidhur më projektin janë njoftuar përmes mediave.

"Është bërë projekti i tregut të ri të qytetit të Prishtinës, aty janë mbi 80 lokale, aty jemi anashkaluar. Kurrfarë informate nuk kemi çka po ndodh me fatin e atyre lokaleve tona ku qe mbi 40 vjet e ushtrojmë veprimtarinë tonë... Nuk e kemi kundërshtuar planin, as nuk dimë çfarë projekti është, as nuk jemi ftuar në takime", tha Pakashtica.

Edhe Lindita Leti, e cila e ka një dyqan nusërie, thotë se largimi nga ajo zonë ku ajo vepron do e dëmtojë shumë biznesin e saj.

"Dyqanet duan të na i rrënojnë, me mund me na i bërë zgjedhje, babai prej 68-es e ka dyqanin aty, ne nuk dimë pse duan t'i rrënojnë, qysh nuk jemi në ngjarje për asnjë gjë... Dëmtim shumë i madh, për shembull unë vajzën e kom me probleme, dyqanin e kam aty, nuk kam zgjidhje tjetër", tha ajo.

Kundër këtij projekti është shprehur edhe zejtari Arben Pakashtica, i cili planin e konsideroi të dëmshëm për zejtarët. Ai madje thotë se nëse do ishte një projekt tjetër dhe do merrej mendimi i tyre, ata do e përkrahnin Komunën e Prishtinës edhe financiarisht.

"Kur e kanë bërë projektin jemi anashkaluar ky projekt është shumë i keq është i bukur me i pa por për biznes është shumë i keq.. Sepse do jetë një treg shumë i vogël ne kemi pasur punë gjithmonë me treg. Tregtarët dalin gjithmonë jashtë tezgave nuk rrinë aty brenda dhe balli është hapur. Neve kanë me na bërë si dykatëshe, tek ne myshteriu nuk hip në kat të dytë", u shpreh ky zejtar.

Ditë më parë komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur procedurat e prokurimit për Tregun e Ri i cili do jetë pjesë e integruar e zonës historike të qytetit. Procedurat e prokurimit do jenë të hapura deri më 10 shkurt./KsP.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme