KRUP mirëpret vendimin e MIA për anulimin e ndërtimit të lagjes në Badovc

KRUP mirëpret vendimin e MIA për anulimin e ndërtimit të lagjes në Badovc

22 February 2020 19:00

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka mirëpritur vendimin e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, për anulimin e ndërtimin të lagjes në Badovc.

KRUP thotë se kapaciteti maksimal trajtues i fabrikës së Badovcit është 520 litra për sekondë, dhe assesi, kjo lagje s’do të duhej të ndërtohej.

“Sot po diskutojmë të gjithë rreth liqenit të Badovcit, rreth pasurisë më të madhe që kemi, rreth furnizuesit të 30% të konsumatorëve me ujë të pijshëm. Me mijëra njerëz u zgjuan në këmbë që ta mbrojnë dhe ta ruajnë këtë pasuri të pazëvendësueshme, në momentet më të volitshme, në momente kur ky liqe i bukur kishte nevojë për ta mbrojtur. Kompania Rajonale e Ujësjellësit " Prishtina" sh.a. duke e përcjellë me vëmendje çdo diskutim rreth këtij liqeni, shfrytëzon rastin sot që të falënderojë -Grupin për mbrojtjen e liqenit te Badovcit - që, falë përkushtimit dhe vendosmërisë së tyre, sot morëm të gjithë lajmin e shumëpritur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit z. Abdixhiku”, shkruan KRUP.

Tutje thotë se Badovci, është pasuri e pamohueshme.

“Liqeni i Badovcit është ndërtuar në vitin 1963-1965 nga KNI Dukagjini. Qëllimi i ndërtimit fillimisht ka qenë për destinim të ujitjes , ujë industrial për Kishnicë dhe maksimalisht 30 % e kapacitetit si furnizim me ujë për Prishtinën. Me zhvillimin e hovshëm të Prishtinës, është cilësuar shumë më e rëndësishme të ketë destinim 100% ujin e pijshëm. Kapaciteti maksimal trajtues i fabrikës së Badovcit është 520 l/ s. Derisa, ai i Batllavës ka kapacitet maksimal trajtues 900 l/ s dhe fabrika në Shkabaj, ku uji fillestar merret nga liqeni i Ujmanit, me kapacitet maksimal trajtues prej 700 l/ s. Duke i mbrojtur dhe ruajtur liqenet akumuluese, ne e ruajmë dhe mbrojmë shëndetin tonë. Dhurata më e mirë që mund t'ua lëmë brezit të ardhshëm është uji i pastër për pije”, përfundon KRUP.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme