“Ciklo sigurt Prishtinë” mbledh çiklistët nga Kosova në mbrojtje të ambientit

23 February 2020 08:33
19:48

Me maska mbrojtëse e pajisje të tjera sigurie, shumë çiklistë nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën gjatë së dielës për një kauzë të përbashkët.

Ndonëse në numër jo shumë të madh, ata i bashkoi projekti “Çiklo Sigurt Prishtinë”.

Urtina Mehmeti, si njëra prej organizatoreve, tha se synim i tyre është rritja e vetëdijes së institucioneve, por edhe të qytetarëve për ndotjen e lartë të ajrit si shkak i dominimit të mjeteve motorike në kryeqytet

Mehmeti shton se është e rëndësishme që kryeqyteti, por edhe qytetet e tjera të kenë shtigje çiklizmi ashtu që secili qytetar që shfrytëzon biçikletën të jetë më i sigurt në trafik.

Ndërkaq edhe çiklistja Vera Nika, pjesëmarrëse në këtë protestë paqësore thotë se përmes këtij marshi, është e rëndësishme që të mos u vihet faji vetëm institucioneve për ndotjen e ajrit. Ku edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së ambientit, raporton KTV.

Në përkrahje të këtij marshi doli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, sipas të cilit drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në raport me çiklistët.

Grupi që ishte edhe nën përcjelljen e njësitit policor me mjet hibrid rrugëtimin e nisi nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në hyrje të Prishtinës derisa rrugëtimi i tyre prej 7 kilometrave përfundoi në hyrje të parkut të Gërmisë.

08:33

Çiklistët sot marshojnë kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë

Çiklistët janë të shqetësuar për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë, që vjen edhe si rrjedhojë e dominimit të mjeteve motorike në rrugët e kryeqytetit.

Përveç kushteve minimale të infrastrukturës dhe sigurisë së dobët për komunitetin e çiklistëve, çiklistët tani përballen edhe me ajër të pashëndetshëm pasi në kushte të tilla të cilësisë së dobët të ajrit nuk rekomandohet të çiklohet.

Me këtë rast, shqetësimin e tyre, çiklistët sot do ta shprehin me një marsh, transmeton KP.

Organizatorët thonë se marshi ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë drejt përdorimit të transportit të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin pra të biçikletës.

Çiklistët do të nisen në ora 12:00 nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në hyrje të Prishtinës ndërsa marshi i tyre përfundon te parku i Gërmisë.

Image

Trajektorja e marshit ka gjatësi prej 7 km, ndërsa i gjithë aktiviteti mbahet në kuadër të projektit “Çiklo sigurt Prishtinë”.

Projekti “Çiklo sigurt Prishtinë” është pjesë e projektit "Empower - Engage - Build Ownership", financuar nga fondet e Bashkimit Evropian, menaxhuar nga Zyra e BE në Kosovë European Union Kosovo, mbështetur nga Balkan Green Foundation dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe implementuar nga Klubi Alpin Prishtina.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme