23:56

Prishtina doli nga karantina

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka njoftuar zyrtarisht se Prishtina sapo ka dalë nga karantina.

“Dita e pestë në Prishtinë pa raste të reja (0). Sonte u hoq karantina. Masat e tjera mbesin përfshi kufizimin e lëvizjes në vetëm 90 minuta në ditë. Ende kujdes sepse në krejt Kosovën 10 raste të reja”, njofton Ahmeti në Facebook.

Tutje, ai ka falënderuar policët të cilët kanë qenë në detyrë këto ditë.

“Por, sonte një falënderim i veçantë për policët tanë që qëndruan për tre javë në pikat hyrëse-dalëse të qytetit të Prishtinës në ndërrime nga 12 orë. Faleminderit që u kujdesët për ne. Jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka përfunduar kryetari i Prishtinës.

20:05

Prishtina sonte del nga karantina

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se Prishtina sonte del nga karantina.

“Prishtina hiqet sonte nga karantina. Ju lus edhe më tutje që mos të relaksohemi ne. Sa më të kujdesshëm, të gjitha masat do të relaksohen më shpejtë. Përkundër relaksimit, rreziku ende nuk ka kaluar. Ky është lajm i mirë! Masat e tjera mbesin në fuqi. #rriNshpi”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Prishtina ishte shpallur zonë karantinë më 11 prill, pasi përnjëherë ishin paraqitur 20 raste të reja me koronavirus.

Ditët e fundit në Prishtinë nuk është raportuar asnjë rast me koronavirus, derisa vetëm 21 raste janë aktive.