Me situata jo të lehta u duhet të ballafaqohen qytetarëve të kryeqytetit në lagjen “Qafa’’, si pasojë e mosfunksionimit të semaforëve.
Mosfunksionimi i tyre, sipas qytetarëve në këtë pjesë të Prishtinës, paraqet problem duke pasur parasysh fluksin e madh të automjeteve.
Ata janë të shqetësuar me gjendjen, ndërkohë që nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë aksidenti si pasojë e këtij problemi, raporton KOHA.
Sipas banorëve të kësaj zone, problemi me semaforët ekziston për më shumë se një muaj, ndërkohë që janë ankuar në Komunë, porse ankesat nuk janë marrë parasysh.
Por, nuk është vetëm lagjja “Qafa’’ që përballet me problemin në fjalë.
Një tjetër pjesë e qytetit ku semaforët janë jashtë funksionit është edhe zona që lidh lagjen ‘’Kalabria’’ me pjesën tjetër të qendrës. Sipas kalimtarëve dhe qytetarëve të kësaj pjese, semaforët këtu janë jashtë funksionit për më shumë se një javë.
Përveç këtyre dy lagjeve, edhe një pjesë e semaforëve në lagjen “Aktash’’ të kryeqytetit ka mbetur pa semaforë aktivë.
Medina Braha, drejtoreshë për Shërbime Publike, në Komunën e Prishtinës, në një përgjigje për KOHËN, mbrëmjen e së dielës, ka thënë se semaforët te “Qafa” s’janë në funksion qe shumë vite për shkak se ishin vlerësuar se po ngufasin trafikun. Për “Aktash” ka thënë se janë dëmtuar nga punimet në rrugën “Agim Ramadani” dhe rasti është përcjellë tek organi mbikëqyrës i projektit. Ajo ka thënë se komuna ka kërkuar që të sanohen prishjet e bëra. Për “Kalabri” ka thënë se është një defekt në kontroller.
“Të gjitha problemet që ndodhin në shërbimet që menaxhohen nga DSHPMSH evidentohen nga zyrtarët dhe rregullohen varësisht nga kontratat qe i kemi në realizim. Por në rastet kur nuk funksionon semafori, çdo pjesëmarrës në trafik obligohet t'i respektojë shenjat horizontale dhe vertikale të vendosura në udhëkryq dhe rrugë. Tani ende nuk kemi kontratë për mirëmbajtjen e semaforëve, për evitimin e dëmtimeve në sistemin e semaforëve. Pas përfundimit të procedurave të prokurimit do të vazhdohet mirëmbajtja e rregullt ashtu siç̧ ka qenë deri më tani, përfshirë̈ edhe semaforin në Kalabri”, është shprehur ajo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.