Metro

LDK: Ahmeti dhe VV tentojnë vazhdimisht të bllokojnë Kuvendin e Komunës së Prishtinës

Deklarimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, nënkryetarit dhe zyrës për informim, lidhur me ngjarjet e fundit përkitazi me punimet e Kuvendit të Komunës së Prishtinës janë të pavërteta, tendencioze, joetike dhe joprofesionale. Ato janë gënjeshtra rutinore dhe qasje arbitrare që kjo qeveri po manifeston ndaj subjekteve tjera shumicë politike në Kuvendin e kryeqytetit. Veprimet e tilla janë duke e ngufatur jetën politike, po e cungojnë demokracinë lokale dhe po prolongojnë zhvillimin e proceseve me interes për qytetarët e Komunës së Prishtinës.

Kështu ka thënë shefi i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, i cili, përmes një reagimi dërguar mediave, thotë se grupi politik i LDK-së në Prishtinë shpreh shqetësimin ndaj veprimeve joligjore të kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe kabinetit të tij që cenojnë të drejtën e Kuvendit të Komunës për zhvillimin normal të mbledhjeve.