22:12

Çerdhet private në kryeqytet protestojnë para Komunës, kërkojnë rihapjen

Asociacioni i institucioneve parashkollore private nuk po pajtohet me vendimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për mos hapje të çerdheve private.

Për këtë qëllim, përfaqësues të këtij asociacioni u mblodhën të diel në mbrëma para Komunës së Prishtinës për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Gëzime Rexhepi-Çollaku nga ky asociacion akuzoi kryetarin Shpend Ahmeti për moskoordinim dhe mosbashkëpunim, madje ajoi tha se për vendimin u njoftuan vetëm përmes një statusi të lëshuar në Facebook nga Ahmeti.

Ajo tha se i kanë njoftuar prindërit që nga nesër mund t’i sjellin fëmijët në kopshte, por ky vendim i të parit të Prishtinës, thotë se i ka befasuar.

“Ne jemi sot këtu për t’u arsyetuar para të gjithë prindërve që i kanë përgatitur fëmijët e tyre që nesër t’i sjellin në kopsht. Nuk di se çfarë arsyetimi dhe si fëmijët do ta kuptojnë këtë arsyetim. Nuk jemi që ta dëmtojmë shëndetin e fëmijëve, mirëpo asnjë ekip nuk është formuar që të dalin në kopshtet e caktuara që të shohin se si zhvillohet dhe si zbatohen masat nga institucionet parashkollore private, kur dihet se të gjitha masat janë ndërmarr dhe janë zbatuar. Në këtë kohë vijueshmëria e fëmijëve ka qenë minimale dhe janë zbatuar në përpikëri duke u bazuar në manualet e IKSPHP-së”, tha ajo.

Ajo pati disa pyetje për kryetarin e Shpend Ahmeti, teksa theksoi se ky do të jetë vetëm fillimi dhe se nuk do të ndalen derisa të trajtojnë njëlloj sikurse institucionet tjera publike.

“Pse kjo ndalesë selektive. A ndoshta pse shumica diku 90 për qind të gjitha institucionet parashkollore private janë në pronësi të grave dhe nuk jemi të zëshme, sepse ata janë të fortë dhe asnjëherë nuk marrin një model qoftë edhe në vendet fqinjë. Por ky është fillimi dhe nuk do të ndalemi me kaq”, tha ajo.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se janë duke hartuar një protokoll që do të konkretizonte deri në detaje menaxhimin e situatës me çerdhe, pas rihapjes.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se ky protokoll do të udhëzojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin e kopshteve dhe masat që do të ndermirën në rast të infeksioneve eventuale./KSP

21:14

Institucionet Parashkollore Private reagojnë ndaj vendimit të Prishtinës për shtyrje të hapjes së çerdheve

Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private ka reaguar ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të shtyrë hapjen e çerdheve.

Fillimisht çerdhet në Prishtinë ishte paraparë të hapen nesër, por Ahmeti ka njoftuar se është duke u përgatitur një protokoll dhe se nuk do të hapen derisa të përfundohet protokolli.

“Pas paralajmërimit nga kryetari i komunës së Prishtinës se të hënën do hapen kopshtet, ato private me komplet personelin e tyre kishin bërë përgatitjet e nevojshme për rihapje sipas protokollit të UNICEF-it dhe MASHT-it dhe kanë njoftuar prindërit e fëmijëve. Tek në ora 18:40 të së dielës kujtohet kryetari i komunës së Prishtinës që personelin e kopshteve publike i ka në plazhet dhe vendpushimet e ndryshme andaj ka vendosur të përgatisë "protokolle të reja" për rihapjen e kopshteve dhe çerdheve në komunën e Prishtinës. A thua me çfarë protokolli qenkan liruar Gjilani? Prindër të nderuar, zgjidhjen e gjeni në komunë. Ne jemi të gatshëm të punojmë dhe të ju shërbejmë fëmijëve tuaj edhe me humbje, por jo edhe të gjobitemi nga 8000 euro nga institucionet. Kërkojmë ndjesë për "talljen" me ju dhe ndjenjat e fëmijëve që as nuk e bartin e as nuk janë të rrezikuar nga Covid19”, është thënë nga AIPP.

18:48

Prishtina ende nuk ka vendosur për datën e rihapjes së çerdheve

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se janë duke hartuar një protokoll që do të konkretizonte deri në detaje menaxhimin e situatës me çerdhe, pas rihapjes. Ai ka thënë se ky protokoll do të udhëtojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin dhe masat që do të ndërmirren në rast të infeksioneve eventuale.

Sipas Ahmetit pasi protokolli të finalizohet dhe të vlerësohet situata, nga personeli profesional, do të caktohet data e hapjes së kopshteve në Komunën e Prishtinës. Ahmeti ka thënë se prioritet është shëndeti i fëmijëve dhe personelit të kopshteve.

Prishtina kryeson me numrin e rasteve me COVID-19 në Kosovë. Qeveria e Kosovës iu ka lënë komunave të vlerësojnë situatën dhe të caktojnë datën e hapjes së kopshteve. 

Postimi i Shpend Ahmetit në Facebook:

Prindër të dashur,

Pas masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë për qëllim luftimin e pandemisë #covid19, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha hapat sipas përgjegjësisë dhe kompetencave të cilat i takojnë.

Sipas këtyre masave, Qeveria e Kosovës, ka zhvendosur në kompetencë të komunave të Republikës vlerësimin e situatës në nivel komune, për rihapjen e kopshteve.

Numri i të infekuarve me #covid19 në Kosovë, është duke u rritur jashtëzakonisht shumë ditëve të fundit, e sipas studimeve dhe situatave të krijuara në disa shtete në botë, shpërndarja e virusit po infekton edhe grupmoshat e reja, përkatësisht fëmijët. Kjo ka bërë që Komuna të analizojë me kujdes të shtuar situatën e krijuar.

Komuna e Prishtinës është duke e hartuar një protokol i cili do të konkretizojë deri në detaje menaxhimin e situatës me kopshte, pas rihapjes. Ky protokol do të udhëzojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin e kopshteve dhe masat që do të ndërmirren në rast të infeksioneve eventuale.

Pasi që të finalizohet protokoli dhe pasi që të bëhet vlerësimi i situatës, nga personeli profesional, do të caktohet data e hapjes së kopshteve në Komunën e Prishtinës pasi që prioritet për ne është shëndeti i fëmijëve dhe personelit të kopshteve.

Ju falemnderit për mirëkuptimin dhe shëndet për të gjithë!