Për reduktimet e energjisë elektrike në Prishtinë, në emisionin 038 në Kohavision, ishte i ftuar Bujar Ejupaj, drejtor i sistemit të operimit në KEDS. Ai njoftoi se a do të ketë reduktime këtë vikend në kryeqytet.
“Vikendi do të jetë i qetë, pa ndërprerje”, tha ai.
Kur ka folur për reduktimet e fundit në Prishtinë, ai ka thënë se bëhet fjalë për reduktime që janë të planifikuara, dhe se qytetarët, njoftohen gjithnjë.
“Nuk ka reduktime, por punë të planifikuara e të paplanifikuara. Këtë vikend presim të mos ketë probleme. Çdo investim që bëhet do të ketë ndërprerje. Për këtë ne duhet të ndërpresim energjinë me paralajmërim. KEDS-i shfrytëzon çdo mundësi t’i njoftojë qytetarët për ndërprerje”, tha ai në emisioni 038.
Ejupaj ka folur edhe për lidhjet që ka me Kompaninë e Ujësjellësit “Prishtina”. Së fundmi, KRUP-i njoftoi për një shkyçje me ujë në kryeqytet, dhe këtë shkyçje, tha se e ka bërë pasi nuk do të ketë energji elektrike.
“Jemi kompani që furnizojmë me energji, por e kemi edhe barrën e ngrohjes qendrore. Me siguri ujësjellësi ka parë që kemi ndërprerje të planifikuar, i njoftojmë të gjithë”, tha ai.
Ejupaj ka folur edhe për një, siç e ka quajtur ai, “Mega projekt mbi 17 milionë euro”, që sipas tij, është projekt i cili realizohet së shpejti e pritet të përfundojë në pranverën e vonshme të vitit 2021.
“Nëse çdo gjë shkon sipas planifikimit, do të përfundojnë investimet në Prishtinë. Që përfshin edhe kabllot nëntokësore. Një pjesë e kabllove do të jetë nëntokë, pjesa tjetër do të jenë kabllo të reja. Nuk kemi asnjë projekt ku punojmë pa leje”, tha ai.
Ka folur edhe për ndërprerjet e shpeshta në Bregun e Diellit.
“Bregu i Diellit ka qenë problem më vete, nuk i ka takuar KEDS-it. Kanë qenë nën menaxhim të KOSST-it”, tha ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.