1 perditesime

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë se reduktimi i ujit në qytetin e Prishtinës do të koncentrohet vetëm në periudhën e natës.

20:55

Xhafa: Reshjet e fundit garantojnë furnizim stabil me ujë gjatë verës

Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit të Ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se rezervat që janë krijuar si pasojë e reshjeve të fundit garantojnë për furnizim stabil me ujë gjatë verës në kryeqytet.

Sipas tij, liqeni i Batllavës ka mundësi që për pak kohë të arrijë nivelin e kapërderdhjes, ndërsa më larg kësaj kuote është ai i Badovcit.

“Kishim dëmtime edhe të pasurive të banorëve, por kemi akumulime të mira të liqeneve. Ai i Batllavës është rreth 1.7 metra larg kapërderdhjes me tendencë të mbushjes. Besoj se do të mbajmë këtë nivel”, ka thënë ai duke shpjeguar se do të ruhet një nivel i rezervave. “Pjesa e rezervave që është siguruar garanton furnizim stabil për verës kur kërkesa është maksimale. Kjo është e mira më e madhe në këtë kohë”.

20:45

Ujësjellësi paralajmëron se reduktimet do të bëhen vetëm gjatë natës

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë se reduktimi i ujit në qytetin e Prishtinës do të koncentrohet vetëm në periudhën e natës.

Në emisionin “038” të KTV-së, Xhafa ka thënë se situata me furnizim është duke shkuar drejt stabilizimit të plotë, pas reshjeve që shkaktuan turbullira në liqenet nga ku furnizohen qytetarët e kryeqytetit.

“Jemi duke u rikuperuar dhe duke stabilizuar gjitha furnizimet. Gjendja është e mirë aktualisht, por kur po përsëriten reshjet po marrim të gjitha masat preventive. Kemi bërë disa ndryshime në impiante. I sigurojmë banorët që s’do të mbesin për periudha të gjata pa ujë, por që situata në përgjithësi është stabile e reduktimet do të koncentrohen gjatë periudhave të natës”, ka thënë ai duke shtuar se problemet më të mëdha po i kanë me furnizim në pikat e larta të qytetit.

Qytetarët e Prishtinës janë përballur me reduktime të shumta të ujit kohëve të fundit pas reshjeve që mbizotëruan në vend.