Tezgat në parking, fermerët vendosin produktet në trotuar
Tezgat e tregut mobil po qëndrojnë të papërdorura në parkingun e kompanisë “Holtikultura”.
Premium
Tezgat e tregut mobil po qëndrojnë të papërdorura në parkingun e kompanisë “Holtikultura”.
Ndërsa fermerët e tregut mobil në mungesë të tyre, po përdorin trotuaret e rrugës “Bill Clinton” për të vendosur produktet që kanë dalë për t’i shitur.
Këta fermerë që dalin çdo të mërkurë në lagjen “Dardania” ankohen se nuk po mund t’i shfrytëzojnë tezgat gjatë gjithë vitit.
“Kemi dalë prapë, ata punëtorët po shkojnë në pushim deri të vijnë nga fundi i Marsit”, ka thënë një nga këta fermerë.
E kjo gjë po ua vështirëson punën, pasi nëpër tezga malli ruhet më mirë.
“Që dy vjet jemi në tregun mobil dhe ajo është mbyllë më 27 dhjetor dhe mendojmë se e hapin me 5 prill. Kur është në tezga malli është më mirë, tash nëpër tavolina është pak më mundim, por po shiten”, thotë një tjetër.
Adrian Berisha, nga kabineti i kryetarit të Komunës së Prishtinës, thotë se tash e gjashtë vjet është i njëjti trend, pasi gjatë muajit janar dhe shkurt pauzojnë për shkak të motit.
“Tash e gjashtë vjet prej që ekziston tregu mobil gjatë muajit janar dhe shkurt gjithmonë pauzën për shkak të motit dhe ky vendim është tash e 6 vite. Tregu mobil funksionon në kuadër të bashkëpunimit në mes drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit përbrenda komunës dhe ndërmarrjes publike “Hortikultura” dhe ky vendim është marrë tash e gjashtë vjet. Në muajin janar dhe shkurt pauzojmë pastaj fillojmë nga muaji java e parë e muajit mars”, tha ai.
Përkundër motit të mirë që mban ndonjëherë, ai thotë se nuk mund të bëjnë organizime të tilla që për një ditë të vendosen apo hiqen tezgat.
Berisha tha se për këtë gjë punohet sipas një plani, pasi sipas tij nuk mund të planfikojnë organizimet e tilla brenda një dite.
“Ne nuk mund të planifikojmë gjëra të tilla sot për sot, po e vendosim tezgat e tregut mobil se nesër qenka koha e mirë. Ne e dimë që shumicën e rasteve moti nuk ka mbajtur aq i mirë në muajin shkurt prandaj kemi vendosur një gjë të tillë. Është një plan logjistik që bëhet. Pra ka ekip që punon në prapavijë për planifikim. Sepse me i vendos 20 deri në 25 tezga në një lokacion, bartja e tyre, transporti, vendosja e tyre në lokacion është plan që duhet të bëhet prandaj ne nuk mund të marrim vendime sot për nesër.”
Tash e gjashtë vjet, tregu mobil vendoset në tri lokacione: në sheshin “Bill Klinton”; hapësira te sheshi “Zahir Pajaziti”; sheshi “Adem Jashari”.