1 perditesime
19:03

Ahmeti për rastin e së miturës: Veprimet janë ndërmarrë brenda tri ditëve nga pranimi i videos

Rreth rastit të ngacmimit seksual ndaj një të miture në një shkollë në Prishtinë, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se ngjarja ka ndodhur më 24 prill të këtij viti jashtë hapësirave të shkollës dhe vajza është nën moshën 6 vjeçare.

"Megjithatë, Shkolla e udhëhequr nga drejtoresha e ka trajtuar me seriozitetin e njëjtë. Janë lajmëruar prindërit, Këshilli drejtues i shkollës, Këshilli i Prindërve, Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Komunitetit. Fëmijës i është ofruar ndihma psikologjike! Po ashtu edhe nxënësi i shkollës i cili për momentin nuk vijon mësimin punon me prindërit dhe psikologët”, thuhet në reagimin e Ahmetit.

Ai ka shtuar se për shkak të privatësisë nuk do të deklarohen më tepër, duke shtuar se për rastin në fjalë, shkolla dhe drejtoria e saj kanë vepruar profesionalisht dhe shpejtë.

“Të gjitha veprimet në lidhje më rastin janë ndërmarr brenda tri ditëve prej pranimit të videos. Pra prej 24-27 prill”.

 

14:01

Shala për rastin e nxënëses: Organet e shkollës me kohë kanë marrë të gjitha veprimet e duhura

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë ngjarja e publikuar përmes një videoje të shtunën nga mediat, e ku pretendohet për ngacmim seksual të një të miture nga disa të mitur të tjerë në një shkollë fillore të Prishtinës, ka ndodhur më 24 prill dhe se videoja i është dërguar shkollës në mënyrë anonime përmes rrjetit social.

Sipas Shalës, shkolla është udhëzuar më pas nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës që të veprojnë sipas protokolleve dhe se rasti është paraqitur tek institucionet përgjegjëse.

“Dje, në disa media ka qarkulluar një video, me pretendimet se disa fëmijë kanë bërë ngacmim seksual ndaj fëmijës tjetër, në oborrin e një shkolle gjatë vikendit. Dua të sqaroj për publikun se ngjarja, sipas njoftimit nga shkolla, ka ndodhur para datës 24 prill 2021, kur shkollës i është dërguar në mënyrë anonime një video përmes rrjetit social, të cilën, dje më 15 maj, portali Syri. net e ka postuar në media elektronike. Shkolla është udhëzuar nga DKA që bashkë me organet udhëheqëse, të veprojnë sipas protokolleve për trajtimin e rasteve të tilla, gjë të cilën edhe e kanë bërë. Organet udhëheqëse të shkollës me kohë kanë marrë të gjitha veprimet e duhura, sipas protokollit dhe rasti është paraqitur te institucionet përgjegjëse për trajtim”, ka thënë Shala përmes një statusi në Facebook.

Lidhur me deklaratën e saj për nje media në të cilën e quan “lojë fëmijësh”, atë që është publikuar, Shala ka sqaruar se në momentin kur e ka cilësuar të tillë, ajo ende nuk e kishte parë videon.

“Sa i përket, deklarimit tim se është një është “lojë fëmijësh”, dua të sqaroj se në momentin e dhënies se kësaj deklarate për Kallxo. com, videon nuk e kam parë dhe i jam referuar gjendjes së zakonshme kur fëmijët gjatë vikendit luajnë në oborr të shkollës dhe fushë sportive, fëmijë këta kryesisht të lagjeve në afërsi të shkollës, meqë oborri i shkollës ka qenë i hapur për çasje. Në asnjë mënyrë nuk kam menduar ta quaj “lojë fëmijësh” ndonjë skenë, në të cilën dyshohet se ka pasur ngacmim seksual, skenë të cilën nuk e kam parë dhe nuk kam qenë në gjendje ta vlerësoj”, ka sqaruar ajo.

Shala ka kërkuar nga mediat dhe publiku i gjerë që të përmbahen nga deklarimet dhe cilësimet rreth këtij rasti.

“DKA në vazhdimësi në bashkëpunim me organet udhëheqëse të shkollave, me psikologët e shkollave, Policinë e Kosovës dhe organizata të ndryshme, do të iu ofrojë nxënësve ligjerata dhe aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me vetedijësim ndaj dukurive negative në mënyrë që të ngrisin kulturën dhe vetëdijen ndaj rasteve dhe gjesteve të tilla. Këto raste negative mund të tejkalohen vetëm me një bashkëpunim të ngushtë në mes prindëve dhe insititucioneve edukativo – arsimore”, ka përfunduar reagimin e saj Shala.