1 perditesime
19:31

Bojkotohet mësimi në “Sami Frashër”, profesorët kundërshtojnë emërimin e drejtoreshës së re

E mërkura në gjimnazin “Sami Frashëri” nisi me tensione të shumta mes profesorëve dhe përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës.

Emërimi i drejtoreshës së re të kësaj shkolle, Fahrije Retkoceri, po kundërshtohet nga të gjithë mësimdhënësit e kësaj shkolle, të cilët edhe bojkotuan mësimin.

Ata thonë se drejtoresha është emëruar nga një konkurs që është shpallur në mënyrë të paligjshme.

Profesori i gjuhës frënge, Ilmi Reçica, thotë se në konkursin që është mbajtur kanë qenë vetëm dy kandidatë për drejtor.

KOHA ka siguruar edhe dëshmi se tre ditë pas shpalljes së konkursit, më 18 qershor 2021, Inspektorati i Arsimit ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës për anulimin e këtij konkursi, pasi është shpallur pa u bërë vlerësimi i performancës së drejtorit të asaj kohe, Fetah Zejnullahu.

Sipas udhëzimit administrativ të arsimit 151/2020 neni 11 ndër të tjera thuhet: “Përfundimi i kontratës së drejtorit/eshës dhe zëvendësdrejtorit/eshës konsiderohet kur: Drejtori kërkon shkëputjen e kontratës për arsye të ndryshme; drejtori është në prag të pensionimit; tregon performancë të dobët në udhëheqjen e Institucionit edukativo-arsimor edhe pas rekomandimit për përmirësim dhe kjo është dokumentuar përmes vlerësimit të performancë”.

Sipas mësimdhënësve, me ardhjen e drejtoreshës janë kërcënuar edhe me kontratë.

Por, drejtoresha e sapozgjedhur, Fahrije Retkoceri, e cila ka kontratë edhe për një vit në “Shkollën e Gjelbër”, për të njëjtën pozitë, ka kundërshtuar të gjitha këto akuza duke paralajmëruar edhe masa disiplinore për bojkotimin e mësimit.

KOHA ka tentuar të kontaktojë edhe me drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala mirëpo ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Për procedurat e mëtutjeshme, profesorët kanë thënë se do të gjejnë një rrugë të përshtatshme që sa më pak të pengohet mësimi.

08:57

Profesorët e “Sami Frashërit” po e bojkotojnë mësimin shkaku i drejtoreshës së re

Profesorë të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, aktualisht janë duke e bojkotuar procesin e mësimdhënies, të pakënaqur me emërimin e drejtorit të ri.

Profesorët po pretendojnë se drejtoresha e re, Fahrije Ratkoceri, ësh të emëruar jashtëligjshëm.

Drejtoria për Arsim e Komunës së Prishtinës, e kontaktuar nga KOHA, nuk kishte informacion për këtë.

Drejtor i deritashëm ishte Fetah Zejnullahu.