1 perditesime
19:18

Në kryeqytet deri nesër s’do të ketë ngrohje nga “Termokosi”

Në kohën kur krerët institucionalë po bëjnë thirrje që qytetarët ta kursejnë rrymën, kryeqyteti ka mbetur pa ngrohje qendrore.

Arsye për këtë po del të jetë një rrjedhje në kaldajën e njësisë B të KEK-ut. Si pasojë e këtij defekti “Termokosi” nga mbrëmja e së martës nuk është furnizuar me avull.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë bërë të ditur se kushtet për furnizim do të krijohen të enjten në mëngjes.

Ndërkaq zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka, ka thënë se nëse edhe nesër nuk rregullohet furnizimi nga KEK-u si alternativë e kanë mazutin.

“Efekti i ngrohjes tek konsumatorët tanë do të arrinte deri në atë moment ndoshta kur do të mund të fillojmë ta marrim avullin nga KEK-u, pasi që sipas informatave të fundit, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me KEK-un dhe sipas informatave të fundit ne avullin do të vazhdojmë ta marrim nesër që nga orët e hershme të mëngjesit, ndërsa deri nga mesdita pritet stabilizimi i plotë i ngrohjes”, tha Uka.

Mungesa e ngrohjes, si dhe paralajmërimet për shtrenjtimin e rrymës kanë nxitur shqetësimin e qytetarëve. Ata thanë se presin zgjidhje të shpejtë.


“Pasha Zotin, vetëm me rrymë, kur të ndalet rryma ndër jorgan, tjetër nuk kem, koftor nuk kemi, plin nuk po guxojmë me përdorë”, tha qytetari Rukolli.
 

“Ndoshta pushtetarët tanë flasin me xhepin e tyre, për ata nuk është shtrenjtë, por për xhep të qytetarit është shumë shtrenjtë”, tha Ismet Pepaj.

Mungesa e ngrohjes ka bërë që shkollat fillore e të mesme të kryeqytetit të mbajnë mësimin me orar të shkurtuar.

Sipas drejtoreshës së shkollës “Xhemail Mustafa”, mësimi online mbetet opsion nëse vazhdon një gjendje e tillë.

“Për shkak të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve dhe temperaturave të ulëta, ndërrimi i pasdites do të jetë me orar të shkurtër. Mirëpo, për ditën e nesërme, mbetemi të jemi në kontakt me Drejtorinë e Arsimit, dhe me Termokosin, dhe nëse do të rregullohet mësimi vazhdon normalisht, nëse jo do të marrim vendim a do të shkojmë online apo jo”, tha Shala.

Nga “Termokosi” po ashtu kanë thënë se ditën e mërkurë, për shkak të ndërprerjes së ngrohjes, nuk do ta përfshijnë në faturën e muajit dhjetor.

15:59

Termokosi thotë se do të heqë nga fatura ditën e sotme

Ndërmarrja publike Termokos ka thënë për KOHËN se ditën e mërkurë, sot, për shkak të ndërprerjes së ngrohjes, nuk do ta përfshijë në faturën e muajit dhjetor.

Termokosi sot ndërpreu ngrohjen duke thënë se kjo po ndodh për shkak të pamundësisë të furnizimit me avull nga KEK-u. Nga KEK-u kanë deklaruar se kjo do të rregullohet të enjten.

Termokosi ka thënë se është i gatshëm që nëse s’rregullohet nga KEK-u, nga e enjtja të aktivizojë mazutin për ngrohje.