Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka filluar shpërndarjen e testeve të shpejta për COVID-19, nëpër institucionet arsimore.
Sipas njoftimit nga Komuna, shpërndarja e testeve ka filluar të bëhet nëpër institucione dhe gjatë pranimit të produktit ekipi i kontraktuar do t’u japë informatat e hollësishme dhe do të ofrojë trajnim rreth përdorimit të testeve antigjen.
Sipas komunës, deri më tani testet antigjen janë shpërndarë nëpër tetë institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta, kryesisht me numër të madh të nxënësve në zonat urbane, ndërkaq në ditët në vijim mbetet të përfshihen edhe zonat periferike të kryeqytetit.
“Është planifikuar që testet të shërbejnë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë. Do të testohen vetëm nxënësit që kanë këto simptoma:-Temperaturë mbi normale, kollitje apo ethe dhe kontakt me persona të infektuar. Ndarja e testeve është bërë në proporcion me numrin e nxënësve në institucione”, thuhet tutje në njoftim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.