Janë gërryer gropat dhe mbuluar me zhavorr.
Pas ankesave të shumta të banorëve, Komuna ka filluar punimet për rregullimin e një pjese të rrugës “Malush Kosova”.
Rruga e cila përveç banorëve të Lagjes së Spitalit, përdoret shumë edhe nga qytetarë të tjerë si ikje nga tollovitë për te Pallati i Drejtësisë.
Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar ka nënshkruar kontratën për asfaltimin e kësaj rruge, që ishte dëmtuar dhe kalimi nëpër të ishte bërë i vështirë.
Megjithëse një pjesë është në gjendje të mirë, pasi është asfaltuar në vitin 2015, në shtator të vitit të kaluar tenderimi është bërë për të gjithë rrugën.
Projekti i cili kushton afro 250 mijë euro, sipas drejtorit për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, do të shfrytëzohet vetëm 30 për qind.
“Ne kemi filluar në rrugën ‘Malush Kosova’, kontrata e përmban rregullimin e krejt rrugës, por në fakt rregullimi i krejt rrugës nuk ka nevojë. Ka probleme pronësore, ne kemi filluar fazën e parë nga QKUK-ja, është duke u punuar. Gati 70 për qind e kontratës nuk do të punohet, sepse një pjesë e rrugës është e asfaltuar. Por kjo është tenderuar komplet pa u pre”, thotë Xhaferi.
Xhaferi thotë se parregullsi si kjo në kontratë ka evidentuar edhe në pjesë të tjera.
“Në të njëjtën kohë është rruga prej “Sami Frasherit” që është tenderuar si shesh e realisht rruga nën të nuk është projektuar dhe ajo kontratë do të anulohet. Jemi në një situatë të tillë të shumë kontratave dhe po duhet të shikohet në aspektin ligjor dhe format se si të vazhdohet më tej, sepse si të tilla janë tenderuar por ne duhet të shikojmë formën se çka mund të stopojmë”, tha ai.
Në anën tjetër qytetarët që jetojnë përreth u janë gëzuar fillimit të punimeve.
Komuna e Prishtinës thotë se janë duke shikuar mundësitë ligjore që të njëjtat mjete të përdoren për një rrugë lidhëse me “Malush Kosovën” nga pjesa e Matiçanit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.