Me bodrum, përdhese dhe 4 kate të tjera është pamja e spitalit të përgjithshëm të Prishtinës, i cili është i paraparë të ndërtohet me Ligjin për kryeqytetin.
Departamenti i Emergjencës, dy reparte kirurgjike, departamenti i Obstetrikës me 3 dhoma të lindjes, njësia e kujdesit intensiv, qendër tregtare, si dhe hapësira e dedikuar për lëshimin e helikopterit, do të jenë brenda spitalit të përgjithshëm, që parashihet të ketë rreth 190 shtretër.
Megjithëse është bërë projekti i tij nga “ICME” në partneritet me “Alb Architect” dhe për këtë ditë më parë u prezantua edhe plani i fizibilitetit, Prishtina ende nuk ka caktuar lokacionin se ku do të ndërtohet spitali që parashihet të ketë rreth 20 mijë metra katrorë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se shërbimi sekondar në kryeqytet do të jetësohet brenda mandatit të tij, duke treguar edhe lokacionet e mundshme të ndërtimit të tij.
“Prishtina e Re është njëra prej tyre, gjithashtu edhe afër QKUK-së, më parë kemi pasur edhe në Llukar, duhet të merren parasysh të gjithë parametrat, por jemi duke analizuar vendin më të mirë që i bie më afër, të marrim vendim përmes informatave jo vetëm ‘headhock’. Herën e radhës të kemi një ‘work shop’, do të vijë edhe ICME dhe të shkojmë edhe në terren, në bazë të kësaj do të marrim vendimin se ku do të jetë vendndodhja e spitalit të ri për kryeqytetin”, tha Rama.
Këtij lajmi i është gëzuar edhe nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo përmes një statusi në “Facebook”, meritat për këtë spital ia ka lënë ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili.
“Super lajm për Prishtinën sot, jetësimi i projektit të Spitalit të Prishtinës! Shumë e gëzuar që me drejtorin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, në bashkëqeverisjen e re, ashtu siç edhe na takon me Ligjin për Kryeqytetin, Prishtina po e shtyn përpara projektin e ndërtimit të Spitalit bazuar në fizibilitetin e gatshëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Shembull i vullnetit dhe bashkëpunimit. Uran Ismaili puna që nis me ekipin në 2018 po merr hov. Faleminderit për kontributin për Prishtinën!” – ka shkruar Sahatçiu.
Me trendin e ikjes së infermierëve dhe doktorëve nga Kosova, drejtori i Shëndetësisë në Komunë të Prishtinës, Izet Sadiku, thotë se do të ketë probleme për gjetjen e stafit profesional.
“Kohëve të fundit ka pasur probleme, dhe nëse vazhdon ky trend i ikjes do të ketë probleme, por sigurisht që do të bisedojmë me Ministrinë dhe me themelimin e spitalit edhe mënyrën e funksionimit të mjekësisë familjare, sepse nuk është duke u zhvilluar siç është e paraparë, pra ajo është duke funksionuar me dy ndërrime, ndërsa është e paraparë të funksionojë me një ndërrim. Edhe aty do të hapen hapësira të reja për specialistët”, tha Sadiku.
Ndërsa, Afrim Demiri nga “Alb Architect” sqaron se brenda do të ketë edhe shopping mall që do të përdoret për nevojat e spitalit.
“Do të ketë edhe shopping mall. Pra, nuk e ka kuptimin e shopping mall siç e kuptojmë ne, por për nevoja të spitalit, pra do ndërtohet në atë mënyrë që të mos e ketë dukjen e spitali”, tha Demiri.
Prishtina është i vetmi nga qytetet e mëdha që nuk e ka shërbimin dytësor. Në këtë mënyrë, të gjitha shërbimet duhet të kryhen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.