3 perditesime
21:32

Rama: Kontratat e reja synojnë që qytetarët të paguajnë vetëm një biletë për trafik urban

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se me kontratat e reja që synojnë të bëhen në trafikun urban dhe atë privat, janë që udhëtarët të mos kenë nevojë t’i blejnë dy bileta.

Sipas tij, ata do të mund ta përdorin transportin privat sikurse atë publik, duke shtuar se komuna do ta financojë transportin privat.

Ai ka thënë se është edhe task-forca, ku do të vijë më raportin e ri për linjat e reja në kryeqytet dhe lidhjet e tyre me fshatrat.

“Në planin zhvillimor komunal ideja është që në fshatra të limitohet mundësia e zhvillimit ad-hock apo kaotik. Ne do të krijojmë mundësinë e zhvillimit në fshatra deri në atë pikë që ka sens edhe për transportin urban, për shkolla e mundësi tjetra. Shtëpitë që janë më larg se 4 kilometra nga shkolla të angazhojmë edhe transport për fëmijët”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se 30 autobusë shtesë do të jenë për trafikun urban.

Ai ka thënë se do të mundësohen kontrata deri në 7 vjet.

Sipas tij, kjo do t’u mundësojë edhe autobusëve privat të investojnë apo të marrin autobusë të rijnë që ofrojnë kushte më të mira për qytetarët.

Lidhur me rregulloren e Prishtina Parking, ka thënë se ka pasur mangësi të shumta.

Sipas tij, për këtë arsye është marrë vendim që të shqyrtohet ajo rregullore, derisa drafti i parë i kësaj rregulloreje, thotë ai, është dërguar dhe do të publikohet.

Rama ka thënë se rregullorja e re përveç organizimit të parkingut për banorët, ka për qëllim t’i rregullojë edhe hapësirat publike, të pamundësohet parkingu në trotuare.

Ai ka thënë se kostoja që paguhet, një pjesë do të shkojë edhe në investimin në zonat e parkingut por edhe në hapësirat e gjelbra.

Rama ka thënë se Ndërmarrja Pblike Banesore dhe kontrata që është nënshkruar për nisjen e një kompleksi banesor është nën hetime.

“Kemi marrë të gjitha masat që të shohim a ka qenë gjithçka ligjore apo jo”, ka thënë ai.

21:09

Rama: Politika po e mban peng zhvillimin e kryeqytetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se politika është duke e mbajtur prapa zhvillimin e kryeqytetit dhe gjithë vendit.

Sipas tij, politikanët duhet të profesionalizohen dhe të mos mbajnë inate partiake.

Ai ka thënë se në disa pika kanë pasur probleme me nivelin qendror.

Një nga to, sipas tij, është SunnyHill Festival, tjetër ka përmendur edhe lokacionin e strehimores për qentë endacakë.

Rama ka thënë se janë disa elemente nga niveli qendror që janë naive dhe nuk duhet të ndodhin.

“Ne duhet të bashkëpunojmë në mënyrë më të mirë. Me Ministrinë e Infrastrukturës kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë. Për qentë endacakë në nivelin lokal kemi bërë gjithçka është e mundur që të hiqen nga rrugët. Nuk kemi aktivitet në nivelin qendror për zgjidhjen e këtij problemi e po ashtu edhe nga komunat tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, problemi qenve endacakë është më i madh se veç i komunave dhe shtrihet edhe në rajon.

Rama ka thënë se qentë duhet të kapen, të kastrohen dhe të jepen për adoptim.

“Ne kemi bërë çdo gjë, kemi investuar dhjetëfish më shumë në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë se sa udhëheqjet paraprake”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se të gjithë qytetarët e Prishtinës duhet të marrin pjesë në diskutimet publike për të gjitha temat.

Ai në emisionin “038” në KTV ka thënë se janë në përfundim të planit zhvillimor komunal.

Sipas tij, një numër i madh i propozimeve që kanë qenë më parë janë adaptuar tash në vizionin për vizonin e tyre, ndërlidhjen e zonave urbane me ato rurale, po ashtu edhe krijimin e rrethit urban.

Rama ka thënë se deri në fund të muajit do ta dorëzojnë projektin e planit zhvillimor komunal e pastaj të hapet për diskutim publik.

“Kompanitë teknologjike mund të punësojnë mijëra të rinj nuk kanë hapësira. Një ide e biznes parkut mund të jetë kjo, zgjerimi i hapësirave. Ne i mirëpresim që të bëjnë propozime dhe të fillojnë kontratat e bashkëpunimit me sektorin privat. Kryeqyteti nuk ka nevojë që gjithçka të bëjë me vetëfinancim”, ka thënë ai.

21:02

Rama për shpenzimet mijëra euro për darka: Ishin shumë gazetarë që erdhën për Manifesta

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur në emisionin “038” në KTV edhe për disa fatura që janë publikuar nga opozita për shpenzimet e Komunës për darka mijëra euro në dy restorante.

Rama ka thënë se njëra prej tyre është faturë mujore e shpenzimeve, ndërsa tjetra është për një darkë, në të cilën ishin prezentë qindra gazetarë të huajë që kishin ardhur për Manifesta.

“Ato janë përbrenda buxhetimit, faktikisht darkat e mia i paguaj vetë, nuk janë aty. I kemi sqaruar. Aty kanë qenë gazetarë të ndryshëm që erdhën në Manifesta, qindra gazetarë të huajë. Kemi organizuar takime me ta, darka, fillimisht t’i mirëpresim si vizitorë që kanë ardhur për herë të parë në kryeqytet. Ishte në interes të madh për kryeqytetin që ata të kenë eksperiencë të mirë dhe ta paraqesin Prishtinën në mënyrë sa më pozitive. Impakti ishte fantastik. Kanë shkruar mediume botërore në mënyrë superlative për Manifestën”, ka thënë Rama, që ka thënë si rezultat i shkrimeve pozitive të gjitha hotelet në Prishtinë janë të mbushura, po ashtu restorantet e gastronomitë.

Ai thotë po të kishte Prishtina edhe dyfishë më tepër hotele do të ishin të mbushura shkaku i Manifestas, e festivaleve tjera si Sunny Hill ndër të tjera.

Rama ka thënë se do të ketë shpenzime për darka edhe në të ardhmen.

“Nuk është diçka jashtë normales. Gjërat nuk ndodhin pa pare, duhet paguar”, tha Rama.

20:53

Rama për “Arkitektin e Kryeqytetit”: Shumë gjëra janë buxhetuar, por s’ka projekte

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për 12 milionë euro që ka ndarë për konsulencë për themelimin e shërbimit “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Kishte pasur shumë kritika për ndarjen e kësaj shume, veçanërisht nga opozita.

Rama në emisionin “038” në KTV, ka thënë se ky shërbim është i buxhetuar me buxhetin e vitit të ardhshëm dhe se është mëse e nevojshme. Ai ka thënë se shumë gjëra janë buxhetuar në Komunë të Prishtinës, por nuk ka projekte, ndërsa ka thënë se ka mungesë në administratë.

Më shumë se 105 milionë euro pritet të jetë buxheti i Prishtinës për vitin e ardhshëm.

“Numër i konsiderueshëm të projekteve janë në atë buxhet, normal jo të gjitha, pasi duhet buxhet edhe më i madh. Por, do ta bëjmë me vite me radhë. Projektet kryesore, si Rruga A është aty, projekti i ‘Arkitektit të Kryeqytetit’ është i buxhetum. Është bërë shumë zhurmë, pasi s’ka ndodhur më parë. Problemi kyç me kryeqytetin është se ka gjëra që janë buxhetuar, por s’ka pasur projekte. Nëse buxheton e s’ke projekt, atëherë s’mund ta realizosh. Duhet të kesh projekte, e pastaj të buxhetohen e kryhet punë. Administrata ka mungesë të madhe të stafit që të merret me numër të madh të projekteve të cilat duhen në kryeqytet. Për këtë arsye është mëse e nevojshme”, ka thënë Rama.