1 perditesime
21:21

Sveçla flet për zgjedhjen e Vitisë në krye të Qendrës së LVV-së në Prishtinë

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, në emisioni “038” të KTV-së, ka folur për rizgjedhjen e Arben Vitisë, si kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë. Megjithëkëtë ai ka thënë se nuk mund të tregojë nëse Vitia do të jetë kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Kjo është çështje për të cilën nuk mund të përgjigjem tani ... po punojmë që kur të vije momenti të paraqitemi sa më mirë, me ofertën më të mirë dhe natyrisht të fitojmë Prishtinën”, ka theksuar ai.

Përkundër faktit që Vitia para një viti, ka humbur garën për kryetar të Prishtinës, Sveçla ka thënë se anëtarët e Vetëvendosjes në Prishtinë, unanimisht kanë vlerësuar se ai është personi më i duhur që të vazhdojë të udhëheq me Qendrën e Prishtinës.

Sipas tij ai i ka humbur zgjedhjet si pasojë e një fushate të egër ndaj tij.

“Ndërkohë që humbja e Vitisë në zgjedhjet lokale ka qenë si pasoje e asaj që është bërë një fushatë jashtëzakonisht e egër, personalisht ndaj tij, si dhe ka qenë një bashkim i të gjitha partive të tjera që sot janë në pushtet, por edhe në opozitë, kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, është shprehur Sveçla.


Sveçla: Rama se realizoi premtimin për parkingje të reja

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka folur edhe për mungesën e parkingjeve në Prishtinë.

Sipas tij, vitin e ardhshëm numri i parkingjeve do të zvogëlohet. “Vitin e ardhshëm me gjatë do të nisë të ndërtohet Tartari i Operës dhe Baletit, te parkingu prapa Pallatit të Rinisë, dhe pjesa më e madhe e tij do të jetë jofunksional, dhe me këtë do të shkaktohet tollovi edhe më e madhe në kryeqytet”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka paralajmëruar se viti 2023 do të jetë i vit i vështirë sa i përket komunikacionit.

“Po zvogëlohet vet numri i parkingjeve dhe nuk po kemi parkingje të reja dhe kjo pastaj po krijon tollovi. Jemi dëshmitarë se çfarë ndodhi në Prishtinë me mbylljen e një rruge të vetme dhe po them që vitit 2023 do të jetë një vit i vështirë sa i përket komunikacionit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, është shprehur Sveçla.

Ai ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për mosrealizim të premtimit sa i përket parkingjeve. “Kryetari Rama gjatë fushatës zgjedhore ka pasur një premtim që çdo 7 minuta largësi do të ketë një parking dhe se qytetarët nuk do të kenë nevojë të ecin më shumë se 7 minuta prej një parkingu, në qendër. Çfarë ka ndodhur, nuk e kemi asnjë parking që është nisur e lëre më që është bërë gjatë një viti mandat të kryetarit Rama”, ka thënë ai, duke shtuar se ndërtimi i parkingut nëntokësor ka nisur gjatë qeverisjes së kaluar.

20:52

Sveçla: Skandal fakti që “Pastrimi” ka blerë kontejnerë të prodhuar në Serbi

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, e ka quajtur skandal faktin që kompania regjionale “Pastrimi”, ka blerë kontejnerë të prodhuar në Serbi.

Ai të hënën, në emisionin “038” të KTV-së ka thënë se e dënojnë këtë akt se për këtë kanë kërkuar përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës.

Sveçla ka theksuar se për këtë kanë marr një përgjigje gjysmake nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, por që sipas tij ata kanë marr përgjegjësi për këtë.

“Çdo ditë po bëhen fushata për atë të bojkotuar prodhimet serbe, ndërkohë që një institucion, një organizatë siç është kompania Regjionale ‘Pastrimi’ ka bërë një veprim që është i papëlqyeshëm siç është blerja e kontejnerëve të cilët janë të prodhuar në Serbi”, është shprehur Sveçla.

Ai ka folur edhe për mosshpenzimin e buxhetit. Sipas tij për 9 muajt e parë të këtij vitit, Prishtina është komuna ndër komunat me investimet kapitale më të ulëta. “Ka pasur hapësirë që investimet kapitale të jetë në nivel më të mirë sesa që janë tani”, ka theksuar Sveçla.