Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, të hënën do ta dërgojë një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal me të vetmen pikë të rendit të ditës, faljen e tatimit në pronë në vlerë deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kryeqytetit për vitin 2023.
“Grupi i Kuvendarëve Komunal nga Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Prishtinë, të hënën në mëngjes, do të dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me të vetmen pikë të rendit të ditës: Falja e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e komunës tonë për vitin 2023”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Duke pasur parasysh kornizën ligjore të ligjit aktual për tatimin në pronë dhe me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, VV-ja ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që ta nënshkruajnë këtë kërkesë dhe ta mbështesin nismën.
Kërkesë të ngjashme kanë bërë edhe degët e Vetëvendosjes në Podujevë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.
Pagesa e tatimit në pronë ka nxitur reagime ditëve të fundit në Kosovë. Ministria e Financave dhe komunat fillimisht ia lanë fajin njëra-tjetrës për rritjen e ndjeshme të faturave të pagesës. Megjithatë, sot, ministri Murati ka thënë se Faturat e tatimit në pronë u rritën pasi tokat filluan të tatohen 100 për qind.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.