Është dashur të mbahen çdo muaj, mirëpo për shkak se Komuna e Prishtinës po organizon seanca solemne, ato të rregulltat e Kuvendit Komunal po mungojnë.
Seanca e fundit e rregullt e Kuvendit Komunal të Komunës është mbajtur më 31 janar, ndërsa janë mbajtur katër seanca të tjera solemne si ato për Ukrainën, për Epopenë e UÇK-së , 8 Marsin dhe 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
E nga opozita e Prishtinës, këtë gjë e kanë quajtur ikje nga debati dhe papërgjegjësi e koalicionit që qeveris me kryeqytetin.
“Është e vërtetë që ne seancën e fundit e kemi pasur më 31 janar. Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka mbajtur seancë dhe kjo është papërgjegjësi e koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe ekzekutivit të Prishtinës, në raportin me Kuvendin Komunal, si organi më i lartë legjislativ. Besoj që këtu ka një tendencë për të ikur nga debate dhe për të mos zgjidhur problemet e përditshme të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së.
Sipas opozitës, si rrjedhojë e mosmbajtjes së seancave të rregullta në komunës po pamundësohet edhe zgjidhja e problemeve të qytetarëve.
“Në këtë mënyrë po bëhet e pamundur që të zgjidhen problemet e kryeqytetit. Vlerësojmë se kjo është e pafalshme, duke e ditur që ka kaq shumë probleme në kryeqytet. Po kjo është neglizhencë dhe ikje nga debate dhe përgjegjësia, në raport me asamblistët si të zgjedhur të qytetarëve, mendimi ishte dashur të dalë nga Kuvendi Komunal i Komunës në seanca e të cilat për fat të keq nuk po mbahen”, ka shtuar Sveçla.
Edhe organizatat që e monitorojnë punën e kryeqytetit kanë deklaruar se Komuna e Prishtinës ka ngecur në mbajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit Komunal.
“Zakonisht kuvendet komunale në komunat e tjera kanë mbajtur së paku një mbledhje. Mirëpo në këtë aspekt Komuna e Prishtinës ka dështuar në këtë aspekt, duke parë në tremujorin e parë është mbajtur vetëm një mbledhje e rregullt. Gjatë muajit shkurt nuk kemi pasur fare seancë. Kurse tash në fund të marsit kemi seancë e që shqetësuese në këtë aspekt janë pikat e rendit të ditës, që do të diskutohen në Kuvendin Komunal e që po vlerësohen si të mangëta dhe të dobëta”, ka thënë Leoreta Aliaj, përfaqësuese në INPO.
Tutje Aliaj ka thënë se në komunë ka mungesë të politikave zhvillimore, duke thënë që edhe pikat e rendit të ditës të seancës së ardhshme mbeten shqetësuese.
“Ka mungesë të politikave zhvillimore në Komunën e Prishtinës, duke pasur parasysh faktin që iniciues të seancave janë kryetari i Komunës dhe ai i Kuvendit. Kuvendi e ka miratuar projekt-propozimin e punës për Kuvend, i njëjti plan nuk është publikuar fare dhe nuk është i qasshëm për ne”, ka thënë ajo.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga zyra e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, mirëpo s’ka marrë përgjigje.
Mbledhja e ardhshme e Komunës së Prishtinës pritet të mbahet më 31 mars, ku deri më tani janë të përcaktuara vetëm 5 pika të rendit të ditës për diskutim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.