Filmi i regjisorit Eduart Grishaj, “Sofia”, tashmë është shfaqur për publikun në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, me ç’rast ka marrë vlerësime të mira nga shikuesit.
Protagonistja e këtij projekti, aktorja kosovare Rozafa Çelaj, ishte e ftuar në emisionin “Nëpër Film” ku tregoi për eksperiencën e saj në realizimin e filmit dhe shumëçka tjetër.
Në filmin “Sofia” trajtohen dy ngjarje paralelisht të cilat lidhin hallkat e një historie gati shekullore. Komandanti jugosllav në rolin e Adem Karagës është ndër ata që ka lënë të vdekur më së shumti shqiptarë gjatë luftës. I plagosur, ai përfundon në oborrin e Sofie Lekës, e cila e strehon dhe ia mjekon plagën. Në të tashmen, urrejtja midis dy popujve nuk fashitet dot, por Sofia ia mësynë Shqipërisë me qëllim që të vrasë paragjykimet. Aty lind një dashuri e pamundur mes saj dhe një djaloshi shqiptar.
Krahas Rozafa Çelajt, në film luajnë edhe aktorët: Mateo Curri, Agron Dizdari, Vahid Xhankoviq, Angela Halili, Bajrush Mjaku, Tinka Kurti, Çun Lajçi, Bajrush Mjaku, Ilire Vinca dhe të tjerë.
Disa pjesë të filmit janë xhiruar edhe në Beograd ani pse sipas regjisorit Grishaj, shfaqja atje e filmit të tij të parë të metrazhit të gjatë, ishte e pamundur.
Pas Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, “Sofia” do t’i ketë disa premiera edhe për diasporën shqiptare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.