Jennifer Lawrence e ka fituar rolin kryesor në përshtatjen e historisë së vërtet kriminalistike të shpërblyer me çmimin Pulitzer të Terese Carpenter “Mob Girl” (titulli i plotë “Mob Girl: A Woman’s Life in the Underworld”).
Fituesja e çmimit Oscar gjithashtu do të jetë njëra nga producentet e filmit i cili bazohet në jetën e Arlyne Brickman, mafiozes e cila bëhet informatore e policisë. Filmbërësi Paolo Sorrentino, fitues i disa çmimeve, duhet ta bëjë regjinë e kësaj përshtatjeje, për të cilën skenarin do ta shkruajë Angelina Burnett.
Tregimi bën fjalë për Brickmanen e re (Lawrence) e cila rritet në mesin e shantazhuesve në Lower East Side në New York, ndërsa mënyra glamuroze e jetës mafioze bëhet ajo që e tërheq atë. Shumë shpejt ajo fillon të shoqërohet me kriminelët dhe të bëjë punë të vogla për ta derisa e kupton se këtë mund ta punojë edhe vetëm, shkruan KOHA Ditore. Në fund bëhet informatore për policinë dhe dëshmitare e madhe për rastin e qeverisë kundër familjes së famshme mafioze Colombo, e cila dominoi me krimin e organizuar në New York.
"Historia nga këndvështrimi femëror është një mënyrë e re dhe emocionuese në të cilën do ta tregojmë historinë klasike mafioze. Nuk kemi mundur ta imagjinojmë një ekip më të mirë filmik sesa atë me Jenniferin si yllin kryesor dhe me Paolon në krye të projektit, ashtu që ta sjellim në ekran të gjithë forcën dhe perspektivën unike të historisë së jetës së Arlyne", tha për Variety Brad Weston, themelues dhe drejtor i indie studios Makeready, që është përgjegjës për filmin.