Mel Gibson luan në filmin “Force of Nature”, që lansohet më 30 qershor
Mel Gibson dhe Emile Hirsch mund të jenë përballur me ligjin në jetën e përditshme, por në trilerin e ri të filmit aksion/triler “Force of Nature”, aktorët yje të hollywoodit përballen me diçka më të fuqishme se policia, që është një uragan i kategorisë 5.
Aktorja Kate Bosworth luan gjithashtu në filmin i cili vjen me regji të bashkëshortit të saj, Michael Polish, i cili për këtë projekt ka punuar në një territor të panjohur për të.
Emile Hirsch në film e portretizon një polic, i cili provon ta evakuojë një ndërtesë të banimit, kur takohet me doktoreshën Troy, rol ky i luajtur nga Kate Bosworth, dhe babanë e saj, i cili refuzon të largohet nga shtëpia pavarësisht katastrofës që ndodh jashtë. Por, situata rëndohet edhe më shumë kur një grup i hajdutëve i drejtuar nga David Zayas e rrethojnë ndërtesën, në përpjekje për t’i vjedhur 55 milionë dollarë të fshehura diku në këtë pronë. Ndërkaq ylli i kinematografisë, Mel Gibson, në film vjen në rolin e një detektivi të pensionuar, i cili e njeh mirë këtë grup kriminelësh, dhe nuk i lejon ata të largohen me paratë e vjedhura pa i luftuar në stilin e tij.
Studioja “Lionsgate” do ta lansojë filmin “Force of Nature” në Video on Demand dhe në formatin DVD/Blu-ray më 30 qershor të këtij viti, transmeton Koha.
Ndërkaq regjisorin dhe aktorin e njohur, Gibson, së shpejti do ta shohim në ekran të madh krahas aktorit Frank Grillo, në filmin aksion të regjisorit Joe Carnahan, “Boss Level”.
Ngjarja e filmit zhvillohet rreth personazhit të Frank Grillos, Roy Pulver, i cili është ushtar i pensionuar i Forcave Speciale. Ai e gjen veten të ngujuar në një lak kohor të ditës kur ai vdes.
Ky projekt i shumëpritur, fillimisht ishte planifikuar të lansohej nëpër kinema në prill të këtij viti, por është shtyrë deri në kohë të pacaktuar për shkak të krizës globale shëndetësore.