E quajtur “aktorja më e mirë e kohës sonë”, Vanessa Redgrave shquhet për karrierën e saj në skenë dhe ekran të madh.
Aktorja e lindur në Tennessee vjen nga një familje e madhe aktorësh. Babai i saj, Sir Michael Redgrave, ishte duke performuar në skenë kur e kishte pranuar lajmin e lindjes së saj. Sir Laurence Olivier, kolegu i tij në shfaqje, në fund të saj deklaroi para publikut se “një aktore e madhe kishte ardhur në jetë”. Duke qenë më e madhja nga tre fëmijët, qysh në fëmijëri e kishte trashëguar dashurinë për artin dhe skenën. Redgrave ka studiuar në shkollën qendrore të muzikës dhe vallëzimit në Londër. Ajo, po ashtu, ka kaluar ca kohë në New York City, kah mesi i viteve ’50, ku e ka zhvilluar edhe më shumë talentin e saj për aktrim. Debutimin skenik e shënoi në vitin 1957 dhe filmin e saj të parë, “Behind the Mask”, e realizoi një vit më vonë duke aktruar krahas babait të saj. Sidoqoftë, teatri ishte fokusi i saj kryesor deri në përfundim të viteve ’60. Gjatë asaj kohe ajo kishte luajtur në disa shfaqje të realizuara nga “Royal Shakespeare Company”.
Nga këtu, Redgrave e filloi një karrierë në kinematografi, me role ikonike në disa filma të mëdhenj. Ajo e ka portretizuar Anne Boleyn, bashkëshorten fatkeqe të Mbretit Henry të Tetë në filmin e vitit 1966, “A Man for All Seasons”, si dhe një tjetër anëtare të familjes mbretërore, Guenevere, në filmin “Camelot” ku luajti krahas aktorit Richard Harris, i cili e portretizoi Mbretin Arthur. Duke kaluar në filma më bashkëkohorë, aktorja e siguroi një rol në filmin e vitit 1968 “Isadore”, i cili bazohej në jetën e valltares moderne me famë botërore, Isadora Duncan.
Redgrave po ashtu e solli një performancë mbresëlënëse si protagonistja e filmit të vitit 1971 “Mary Queen of Scots”, por ishte performanca në filmin “Julia” e cila ia fitoi shpërblimin e parë Oscar. Në film ajo e portretizonte një grua e cila jetonte në Gjermani dhe punonte kundër regjimit nazist.
Duke qenë një aktiviste e rregullt e çështjeve politike, Redgrave e ka mbështetur dhe e ka bërë narracionin e dokumentarit “The Palestinian”, i cili bënte thirrje për pavarësinë e shtetit palestinez. Atëkohë, jashtë ceremonisë së shpërblimeve Oscar, anëtarët e grupit “Jewish Defense League” protestuan rreth nominimit të aktores dhe prezencës së saj në këtë ngjarje të rëndësishme kinematografike. Derisa në fjalimin e saj, me ta pranuar çmimin Oscar për filmin “Julia”, ajo i quajti këta protestues “zionistë”. Redgrave dhe vëllai i saj Corin ishin po ashtu aktivë në Partinë Revolucionare të Punëtorëve në Angli.
Debatet rreth pikëpamjeve të saj pro-palestineze u ndezën edhe njëherë kur ajo e portretizoi një këngëtare dhe muzikante hebreje në kampin e “Auschwitzit”, në filmin televiziv të vitit 1980 “Playing for Time”. Edhe, Fania Fenelon, mbi jetën e së cilës ishte bazuar ky film, e kundërshtoi angazhimin e aktores për ta portretizuar atë dhe kjo për shkak të besimeve politike të Redgraveit. Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, aktorja e njohur hollywoodiane e bëri një punë të jashtëzakonshme si anëtare e orkestrës e cila bënte muzikë për gratë të cilat ishin rrugës për në dhomat e gazit. Redgrave e fitoi shpërblimin e saj të parë “Emmy” pikërisht për këtë rol.
Në vitin 1991, Redgrave e pati mundësinë të punojë me motrën e saj Lynn Redgrave në adaptimin televiziv të filmit “What Ever Happened to Baby Jane?”. Një vit më vonë ajo e mori një nominim për çmimin akademik si aktorja më e mirë në rol dytësor për filmin “Howards End”, ku luajti krahas yjeve Emma Thompson dhe Anthony Hopkins. Filmi bazohej në romanin e E.M. Forster-it. Në vitin 1997, Redgrave e solli në jetë një tjetër personazh të rëndësishëm. Ajo e luajti rolin kryesor në filmin “Mrs. Dalloway”, të bazuar në punën e Virginia Woolfit.
Listës së shpërblimeve të fituara ndër vite, Redgrave ia shtoi edhe çmimin “Tony” të cilin e fitoi në vitin 2003, për performancën e matriarkës së varur nga morfina në filmin e Eugene O'Neill-it, “Long Day's Journey in Night”. Katër vjet më vonë, aktorja e solli një interpretim impresionues në shfaqjen “The Year of Magical Thinking”. Ky projekt bazohej në librin e Joan Didion-it, i cili e reflektonte pikëllimin e saj pas vdekjes së bashkëshortit, John Gregory Dunne. Redgrave kishte qenë zgjedhja e parë dhe e vetme e autores për këtë rol, si dhe e kishte lavdëruar tej mase aktoren për këtë performancë duke thënë: “ajo sjell aq shumë intensitet dhe sinqeritet në çdo gjë që e bën”.
Redgrave po mundohet të qëndrojë aktive në ekran të madh, megjithëse në moshë të shtyrë. Në vitin 2011 u shfaq me rol në filmin “Coriolanus” krahas aktorit Ralph Fiennes, ku e portretizoi nënën e tij në filmin e adaptuar nga historia shakespiriane. Në të njëjtin vit, aktorja e huazoi zërin për njërin prej personazheve të filmit të famshëm të animuar, “Cars 2”.
Redgrave ishte e martuar me regjisorin Tony Richardson nga viti 1962 deri më 1967-n. Ata i kishin dy fëmijë së bashku, Natasha dhe Joely. Vajza e saj, Natasha, e cila ishte e martuar me aktorin Liam Neeson, vdiq në vitin 2009 në një aksident gjatë skijimit. Redgrave po ashtu e ka një djalë, Carlo Gabriel Nero, nga lidhja e saj e gjatë me aktorin Franco Nero. Ajo dhe Nero ishin takuar gjatë xhirimeve të filmit “Camelot”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.