Ylli i filmit “Lost Transmissions”, Simon Pegg, e ka bërë të ditur lajmin se është përballur me vartësinë nga alkooli, kjo pasi kah fundi i viteve 2000 e kishte shfrytëzuar alkoolin për t’u vetëshëruar.
Aktori ka deklaruar se përpjekja për ta fshehur këtë problem nga më të dashurit e tij, e ka bërë që t’i ketë dy personalitete të ndryshme, pasi nuk ka dashur që ta pranojë se vuan nga vartësia.
“Mendoj se Nick Frost e kishte vënë re problemin tim, por nuk ka dashur ta pranojë sepse është frikësuar për mirëqenien time. Por, beteja me vartësinë nga alkooli është një ferr personal në të cilin gjendesh. Ti provon të dukesh në rregull për njerëzit e tjerë, kështu që e krijon një lloj realiteti të shpikur ku dëshiron ta besosh një të pavërtetë, kur në fakt ti nuk ndihesh mirë, je tejet i mërzitur dhe i pikëlluar, si dhe e shfrytëzon alkoolin apo çfarëdo tjetër për ta ndryshuar atë që po e ndien. Pra, e krijon një lloj personaliteti të ndarë dhe të çuditshëm.”
50-vjeçari Pegg, eventualisht ishte regjistruar në një qendër rehabilituese ku ka arritur të shërohet nga kjo vartësi, si dhe ka deklaruar se puna në filmin “Mission: Impossible -- Ghost Protocol” ku kishte luajtur menjëherë pas largimit nga rehabilitimi, e ka ndihmuar atë ta marrë veten plotësisht, transmeton Koha.
Pegg gjithashtu ka thënë se kolegu i tij në këtë film, Tom Cruise, e kishte përkrahur vazhdimisht.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.