Showbiz

Shtyhet ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Globi i Artë”

Foto: Reuters
 

Ceremonia e përvitshme e ndarjes së shpërblimeve kinematografike, “Globi i Artë”, të cilat i ndanë Shoqata e Gazetarëve të Huaj, zakonisht mbahet në javën e parë të janarit por për shkak të vonesave në projektet filmike, të shkaktuara si pasojë e pandemisë së koronavirusit, kjo ngjarje e cila mbahet në Beverly Hills të Kalifornisë, tani është shtyrë për datën 28 shkurt të vitit 2021, transmeton Koha.

Në një mesazh të postuar në llogarinë zyrtare të Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Twitter shkruhej: “Jemi të lumtur t’iu informojmë se edicioni i 78-të i ceremonisë së përvitshme ‘Globi i Artë’, do të mbahet të dielën më 28 shkurt të vitit 2021. Ceremonia do të transmetohet live në kanalin NBC, ndërsa do të zërë vend në hotelin “The Beverly Hilton” të Kalifornisë.”