Florence Pugh do ta portretizojë heroinën “Black Widow” në filmat e ardhshëm
Regjisorja e filmave me buxhet të lartë “Black Widow”, Cate Shortland, gjatë një interviste të fundit e ka zbuluar se ylli hollywoodian, Scarlett Johansson, e cila e portretizon protagonisten Natasha Romanoff ndryshe e njohur si “Black Widow”, do t’ia dorëzojë stafetën e kryepersonazhit aktores së re Florence Pugh, në filmin e ardhshëm të studios Marvel.
Shortland në një intervistë ekskluzive për revistën “Empire” ka deklaruar se, ekipi prapa filmit është mahnitur me performancën e aktores britanike, Pugh, e cila e ka luajtur rolin e Yelena Belovas që është si motër e Natasha Romanoffit, pasi ato janë rritur dhe trajnuar bashkë.
Regjisorja ka lënë të nënkuptohet se aktoren 24-vjeçare, po e pret një e ardhme e madhe në universin e personazheve të bazuara në librat komik “Marvel”, transmeton Koha.
Tutje ajo ka deklaruar se janë befasuar me performancën e mahnitshme të saj në film, dhe që aktorja Johansson është e kënaqur që rolin e saj do ta trashëgoj pikërisht, Florence Pugh.
Scarlett, në të kaluarën e kishte përshkruar aktoren 24-vjeçare si një motër të vogël, duke thënë se gjatë xhirimeve të filmit ato kanë arritur ta krijojnë një lidhje shumë të afërt me njëra-tjetrën.
Ylli 35-vjeçar i kinematografisë gjithashtu ka deklaruar se e ka admiruar vetëbesimin e Pughut, si në jetë ashtu edhe në punë.
Filmi i ri “Black Widow”, do të lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe më 28 tetor të këtij viti, ndërsa në kinematë amerikane fillon së shfaquri nga data 6 nëntor.