Showbiz

Chiwetel Ejiofor rikthehet me rol në vazhdimin e dytë të “Doctor Strange”

Chiwetel Ejiofor rikthehet me rol në vazhdimin e dytë të “Doctor Strange”

Aktori i njohur amerikan, Chiwetel Ejiofor, e ka konfirmuar lajmin se do të rikthehet me rol në filmin e ardhshëm, “Doctor Strange in the Multiverse of Madness”.

Ylli 42-vjeçar i kinematografisë së fundmi e zbuloi lajmin se do ta përsërisë rolin e magjistarit të keq, Baron Karl Mordo, në vazhdimin e dytë të filmit të famshëm nga Universi Marvel, “Doctor Strange”, i cili ishte lansuar në vitin 2016 dhe kishte korrë suksese të jashtëzakonshme në arkat filmike.

Ejiofor ndër të tjera ka bërë të ditur se krijuesit e këtij projekti po shpresojnë që t'i nisin xhirimet e tij së shpejti, transmeton Koha.

Ylli i filmit “12 Years a Slave” për portalin “Screen Rant” citohet të ketë thënë: “Po shpresojmë ta fillojmë punën rreth filmit sa më shpejt që është e mundur. Jemi shumë të emocionuar për këtë, dhe mezi po presim t’i hyjmë punës”.

Filmi me buxhet të lartë në të cilin aktori britanik, Benedict Cumberbatch, e luan rolin protagonist, këtë radhë vjen me regji të Sam Raimit, kjo pasi Scott Derrickson është larguar nga projekti.

Krijuesi i filmit “Evil Dead” e ka zbuluar se kur ishte fëmijë, Doctor Strange kishte qenë një prej superheronjve të tij të preferuar.

“Si fëmijë, unë e adhuroja superheroin Doctor Strange. Ai ishte i preferuari im pas Spider-Manit dhe Batmanit. Pra, ai hynte në listën e pesë personazheve të mia të preferuara nga librat komikë”, citohet të ketë thënë regjisori 60-vjeçar, Sam Raimi.

Në anën tjetër, Scott Derrickson, i cili e ka bërë regjinë e filmit të parë “Doctor Strange”, tani do të shërbejë si producent ekzekutiv i projektit, dhe ai e aprovoi me plot vullnet angazhimin e Sam Raimit në rolin e regjisorit.

“Unë kam punuar me Sam Raimin. Ai është një prej njerëzve më të mirë që i njoh në industrinë e filmit, dhe si regjisor, një legjendë e gjallë. Çfarë zgjedhjeje e mrekullueshme për t'ia trashëguar rolin e regjisorit të filmit ‘Doctor Strange’. Është vërtet një vendim i qëlluar,” ka bërë të ditur Derrickson përmes një postimi në Twitter.