Prezantuesi veteran, Regis Philbin, i cili e ka bashkëprezantuar emisionin ‘'Live! with Regis and Kelly”, krahas Kelly Ripas, ka vdekur të premten më 24 korrik nga shkaqe natyrore. Kështu bëri të ditur revista prestigjioze “People”. Philbin ishte 88-vjeçar, transmeton Koha.
Në një deklaratë të lëshuar për media nga familja e Philbinit thuhej: “Do ta kujtojmë atë përgjithmonë për ngrohtësinë, sensin legjendarë të humorit dhe aftësinë e veçantë për t’ia ndrequr ditën secilit person që e ka takuar. I falënderojmë tej mase fansat e tij, për përkrahjen dhe dashurinë që ia kanë dhënë gjatë karrierës së tij 60-vjeçare, si dhe ju lutemi për pak privatësi që ta vajtojmë humbjen e tij.”
Regis Philbin ishte larguar nga prezantimi i shout “Live!” në vitin 2011, por gjatë karrierës së tij ai i ka prezantuar edhe disa emisione tjera televizive përfshirë këtu, “Who Wants to Be a Millionaire” dhe sezoni i parë i shout muzikor “America's Got Talent”.
Ylli televiziv është bërë pjesë e “Television Hall of Fame” në vitin 2006 si dhe e pranoi një yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood, në vitin 2013.
Ai gjithashtu gjatë intervistimit të aktores Eliza Dushku në emisionin e tij, e kishte pranuar se ka rrënjë shqiptare pasi e ëma e tij, Filomena, ishte arbëreshe e Italisë.
Të shumta ishin reagimet e publikut dhe të famshmëve të cilët përmes rrjeteve sociale i shprehën ngushëllimet e tyre, përfshirë këtu prezantuesit Kelly Ripa dhe Ryan Seacrest, të cilët aktualisht e udhëheqin programin “Live!”.
“Jemi tepër të pikëlluar me lajmin e vdekjes së Regis Philbinit. Ai ishte një person me klas i cili për më shumë se 23 vjet u kujdes të sjellë të qeshura dhe gëzim në shtëpitë tona. Ne jemi me shumë fat që e kemi pasur si mentor në karrierën tonë televizive. I shprehim ngushëllime të thella dhe iu dërgojmë shumë dashuri familjarëve të tij, duke shpresuar se do të mund të gjejnë ngushëllim në faktin se ai e ka bërë këtë botë një vend më të mirë për të gjithë,” ka shkruar dyshja në prononcimin për media.
Ndërkohë, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka përshkruar të ndjerin si një prej prezantuesve më të mirë televiziv. Ai gjithashtu tha se Philbin ishte një person fantastik me një karrierë të jashtëzakonshme, i cili e kishte nxitur të kandidojë për president të shtetit.
© KOHA.