Showbiz

Sting pas performancës së mrekullueshme me Gashin, zbuloi detaje rreth albumit të ri

Sting pas performancës së mrekullueshme me Gashin, zbuloi detaje rreth albumit të ri

Këngëtari i njohur, Sting, do ta publikojë një album bashkëpunues me Eric Claptonin dhe yje të tjerë të muzikës.

Muzikanti 68-vjeçar i ka ngacmuar fansat duke thënë se incizimi i tij i ri do të jetë një befasi Krishtlindjesh, si dhe do t'i përfshijë disa bashkëpunime interesante me emra të njohur të muzikës, transmeton Koha.

Këtë deklaratë Sting e bëri gjatë paraqitjes së tij të fundit në emisionin “The Tonight Show With Jimmy Fallon”, ku ai performoi live me reperin me prejardhje kosovare, Gashi. Dyshja megjithëse nuk pati mundësi të bëhet bashkë në skenë shkaku i rregullave të pandemisë së koronavirusit, në këtë shou e solli një interpretim të shkëlqyer të këngës “Mama”, që është pjesë e albumit të fundit të Gashit me titull, “1984”.

Duke folur për atë se si i erdhi mundësia të bashkëpunojë në një këngë me Gashin, këngëtari tha: “Siç duket ai është inspiruar shumë nga këndimi dhe muzika ime. Ai e kishte shkruar një këngë për raportin e tij me të ëmën, të cilën ma prezantoi dhe menjëherë e kuptova se kënga ishte një hit. Prandaj i thash se do të më pëlqente ta këndonim atë bashkë, sigurisht nëse ai dëshironte. Kështu, u bëra pjesë e këngës, më pas e realizuar një videoklip, por shkaku i situatës së fundit ne ende nuk kemi pasur rast të takohemi me njëri-tjetrin”.

Tutje, duke folur për albumin e tij të ri, Sting deklaroi: “Përgjatë vjetëve unë i kam incizuar shumë duete me disa persona të jashtëzakonshëm si, Herbie Hancock, Eric Clapton dhe të tjerë. Prandaj i bëmë bashkë të gjitha këto bashkëpunime të cilat na tingëlluan shumë mirë, dhe kështu vendosëm t'i përmbledhim në një album i cili do të jetë befasi për Krishtlindje.”

Së fundmi, Sting emri i vërtetë i së cilit është Gordon Sumner, e lansoi një duet me Melody Gardotin. Këngëtarja 35-vjeçare e cila do ta publikojë albumin e saj të pestë, “Sunset In The Blue”, më 23 tetor të këtij viti, është bërë bashkë me yllin e hitit “Fields of Gold” në realizimin e këngës së saj me titull, “Little Something”.

Edhe pse dy muzikantët, Sting dhe Melody, ishin takuar në të kaluarën dhe këngëtarja është adhuruese e madhe e Stingut, kjo është hera e parë që ata kanë punuar së bashku.