Showbiz

Rita Ora dhe Bebe Rexha ndajnë çmime, Loredana shpërblehet në “MTV EMA”

 

Yjet e muzikës K-pop, “BTS” i fituan katër shpërblime “MTV Europe Music Awards”, në ceremoninë e cila u mbajt të dielën mbrëma në formë virtuale.

Grupi nga Korea Jugore i përbërë nga shtatë djelmosha, gjatë mbrëmjes u nderua në kategori të tilla si, “Kënga më e mirë”, çmim ky i cili shkoi për hitin e tyre “Dynamite”, “Grupi më i mirë”, “Performanca më e mirë live” dhe “Bendi me më së shumti fansa”.

“Dynamite” që është kënga e parë e tyre e interpretuar tërësisht në gjuhën angleze, ka arritur të shkarkohet më shumë se 34 milionë herë në Amerikë, si dhe bëri që “BTS” jetë grupi i parë korean që debutoi në pozitën e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”.

Ceremonia e cila këtë vit dukej shumë më ndryshe, pa prezencën e publikut në sallë dhe amosferën që e shoqëronte çdo triumf ose performancë të yjeve në skenë, u drejtua nga anëtaret e bendit “Little Mix”. Ndërsa personalitete të shumta nga muzika përfshirë këtu dy këngëtare me prejardhje shqiptare, Rita Ora dhe Bebe Rexha, u kujdesën t’i shpallin fituesit në kategori të ndryshe të mbrëmjes, transmeton Koha.

Ndër fituesit e tjerë të çmimit “MTV Europe Music Awards” ishin: Lady Gaga e cila u shpall “Artistja më e mirë”, Cardi B e cila e fitoi çmimin “Performanca më e mirë hip-hop”, DJ Khalid e rrëmbeu çmimin “Videoklipi më i mirë”, grupi “Coldplay” dominoi në kategorinë “Best Rock”, Doja Cat e fitoi çmimin “Artistja më e mirë e re”, Karol G u nderua me shpërblimet, “Performanca më e mirë Latine” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” për hitin e saj “Tusa”, të cilin e ka realizuar me rep artisten Nicki Minaj, David Guetta u shpall fitues i kategorisë “Performanca më e mirë elektronike” dhe rep artistja me prejardhje kosovare, Loredana, e fitoi çmimin “Performanca më e mirë zvicerane”.

Pjesë të veçantë në këtë ceremoni kishin edhe interpretimet e yjeve të ndryshëm të muzikës. Në mesin e performuesve të ceremonisë “MTV EMA” këtë vit ishin: Alicia Keys, Sam Smith, Doja Cat, Maluma, Little Mix, Zara Larson, Jack Harlow, Madisson Beer, David Guetta dhe të tjerë.