Showbiz

Bad Bunny rezulton pozitiv me koronavirus

Bad Bunny rezulton pozitiv me koronavirus
 

Këngëtari 26-vjeçar, Bad Bunny, i zhgënjeu fansat pasi dështoi ta performojë hitin e tij të fundit, “Dakiti”, në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “American Music Awards”, dhe tani u bë i ditur lajmi se ai e ka anuluar paraqitjen e tij muzikore në shoun e së dielës, pasi është prekur nga koronavirusi.

Në një prononcim për media nga zëdhënësit e tij, shkruhej: “Bad Bunny ishte planifikuar ta performojë live hitin e tij global, ‘Dakiti’, bashkë me Jhay Cortez, për herë të parë në ceremoninë ‘AMA’ por fatkeqësisht artisti ka rezultuar pozitiv për COVID-19, çka e ka detyruar atë ta anulojë prezantimin e tij në këtë shou”.

Por, pavarësisht diagnozës së tij, Bad Bunny, sërish arriti të paraqitet në këtë ngjarje përmes një videolidhje nga shtëpia e tij në Los Angeles, kur e lajmëroi këngëtaren latine Becky G si fituese e çmimit “Artistja më e mirë latine”.

Po ashtu gjatë mbrëmjes, këngëtari i fitoi dy shpërblime muzikore, atë “Artisti më i mirë latin” dhe “Albumi më i mirë i muzikës latine” për incizimin e tij “YHLQMDLG”, transmeton Koha.

Me t’i pranuar këto shpërblime, Bad Bunny, e ndau një video në rrjetin social Twitter ku deklaroi: “Për gjithë fansat e mi dhe njerëzit që më kanë mbështetur dhe e kanë dëgjuar muzikën time, gjithë këtë punë e bëjë vetëm për ju. Artistët latinë po e sundojnë botën. Ju dua shumë të gjithëve”.

Para se diagnoza e yllit latin të bëhej publike, një numër i madh i adhuruesve i kishin pushtuar rrjetet sociale me mesazhe që e shprehnin zhgënjimin e tyre, pasi kishin pritur gjatë gjithë shout të transmetuar live, për performancën e artistit të tyre të preferuar e cila nuk ndodhi fare.

Në anën tjetër, gjatë ditës së hënë këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, e bëri të ditur lajmin se Bad Bunny do të jetë një prej artistëve latinë që i bashkohet asaj në koncertin virtual “Studio 2054”, i cili mbahet të shtunën më 27 nëntor.

Por duke qenë se vetëm pak ditë na ndajnë nga kjo ngjarje, dhe Bad Bunny sapo e ka bërë të ditur lajmin se është diagnostikuar me COVID-19, mbetet të shihet nëse ai do të mund t'i bashkohet yllit të muzikës pop në interpretimin e këngës, “Un Dia”, pjesë e së cilës janë edhe artistët, J Balvin dhe Tainy.