Dua Lipa e mahnitur me aftësitë e të dashurit të saj në gatim
Foto: AP/Associated Press
Anwar Hadid e ka mahnitur Dua Lipën duke i përgatitur ushqime tradicionale të Lindjes së Masme, gjatë kohës së karantinës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Pop ylli i njohur botërorë, Dua Lipa, e ka zbuluar për publikun se i dashuri i saj 21-vjeçar, Anwar Hadid, e kishte impresionuar jashtë mase me aftësitë e tij në kuzhinë, duke e gatuar për të specialitetin e njohur me emrin “maqluba’, që është një gjellë tradicionale e cila përmban mish, oriz dhe perime të fërguara.
Duke folur për eksperiencën e çiftit gjatë karantinës, këngëtarja 25-vjeçare me prejardhje kosovare tha: “Karantina në përgjithësi mund ta forcojë ose shkatërroj një lidhje, por ne jemi treguar shumë të kujdesshëm që t’i lëmë njëri-tjetrit hapësirë, kur ishte e nevojshme, dhe të ishim pranë njëri-tjetrit kur e dëshironim këtë. Ne funksionojmë shumë mirë së bashku dhe ai ka qenë më të vërtetë i mrekullueshëm. Në fakt, kjo ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për ne, me gjithë këtë kohë të lirë të paparashikuar për ta kaluar me njëri-tjetrin. Dua të them, unë kisha planifikuar të bëja turne nëpër botë për ta promovuar albumin e ri, por në fakt përfunduam të mbyllur në një shtëpi për një kohë të gjatë”.
Dhe siç duket, para se të karatinoheshin, Dua nuk ishte në njohuri me aftësitë e të dashurit të saj në kuzhinë.
“Ajo që kam mësuar është se ai është një kuzhinier i mrekullueshëm, dhe shumë i zoti në kuzhinë. Prandaj, kjo ishte një përvojë shumë e mirë për mua. Ai e përgatitu këtë ushqim shumë të shijshëm palestinez, të njohur me emrin ‘maqluba’ që në fakt është një gjellë tradicionale e kthyer përmbys, e cila përmban perime dhe mish qengji. Nevojiten tri orë për ta gatuar atë, por është me të vërtetë një specialitet i përkryer i Lindjes së Mesme”, ka shtuar tutje Lipa.
Dua dhe Anwar, e kaluan pjesën e parë të krizës së shkaktuar nga koronavirusi në shtëpinë e tyre në Londër, por para festave të fundvitit ata u zhvendosën në Los Angeles. Së fundmi çifti shumë i dashuruar e ka mirëpritur një figurë të re në jetët e tyre, që është qenushi i quajtur Dexter.
Në lajme të tjera, ylli i hitit “New Rules” i ka informuar fansat se së shpejti, pritet t’i lansojë disa materiale të reja nga albumi “Future Nostalgia”.
Lipa i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta paralajmëruar lansimin e shpejtë të këngëve shoqëruese, të albumit të saj të dytë dhe shumë të suksesshëm në tregun muzikor.
Me postimin e një fotografie bardh e zi në Instagram, ylli i hitit “Levitating” i informoi 60 milionë ndjekësit e saj se “Materialet ekstra të albumit po vijnë së shpejti”.
Prej lansimit të albumit të dytë në karrierën e saj, Lipa u ka dhuruar fansave edhe albumin remix “Club Future Nostalgia”, koncertin e mahnitshëm virtual “Studio 2054”, dhe tri bashkëpunime të mrekullueshme, “Fever” me kantautoren belge, Agele, “Prisoner” me yllin botëror të muzikës, Miley Cyrus dhe “Real Groove” me këngëtaren e njohur australiane, Kylie Minogue.
Së fundmi, bukuroshja me prejardhje nga Prishtina ka deklaruar se dëshiron të zgjerohet në karrierën e saj.
Këngëtarja 25-vjeçare e cila debutoi në skenën e muzikës në vitin 2017, ka thënë se dëshiron të krijojë diçka argëtuese në fushën e modës, ani pse aktualisht është e fokusuar më shumë në muzikë. Dua beson se për gratë është më vështirë të depërtojnë në këtë industri, prandaj dëshiron ta krijojë rrugën për këngëtaret e tjera, para se të kalojë në realizimin e projekteve të modës.
Ndërkaq, në mëngjesin e së martës Lipa e ndau një tjetër lajm të mirë me gjithë adhuruesit, duke i informuar se hiti i saj “Levitating” i sjell bashkë me reperin DaBaby, ka arritur të pozicionohet në vendin e pestë të toplistës së këngëve më të mira “iTunes”.