Naomie Harris dëshiron të jetë pjesë e filmit të ardhshëm “James Bond”
Foto: AP/Associated Press
Aktorja britanike, Naomie Harris, e ka luajtur rolin e agjentes Eve Moneypenny në tre filma me James Bondin, “Skyfall”, “Spectre” dhe vazhdimi i fundit, “No Time To Die”.
Në një intervistë të fundit ajo deklaroi se e ka shijuar çdo moment të portretizimit të rolit të saj, në një prej filmave më ikonik të botës.
Por, me largimin e yllit Daniel Craig nga projekti me buxhet ta lartë dhe planet për realizimin e vazhdimit të radhës, a do të ketë ende rol për aktoren 45-vjeçare të nominuar për çmim “Oscar”?
“Nuk kam ide për këtë. Njerëzit vazhdimisht m’i parashtrojnë këto pyetje për filmat ‘James Bond’, dhe unë ju them se jam personi i fundit që i mëson gjërat, prandaj nuk e di se çfarë planifikojnë të bëjnë me vazhdimin e radhës. Dua të them, do të më pëlqente të vazhdoja të isha pjesë e këtij projekti. Unë e adhuroj rolin tim, ndihem e lidhur me të gjitha personazhet tjera dhe i dua shumë këta filma, por fatkeqësisht nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, deklaroi Harris për “The Associated Press” në intervistën e saj të fundit që kishte për qëllim promovimin e filmit të ri të aktores, “Swan Song”.
E pyetur nga gazetarët se kush mendon që duhet të jetë agjenti i ardhshëm 007, Naomie tha se nuk ka përgjigje për këtë.
“Nuk kam ide por jam shumë e lumtur që nuk më duhet ta bëjë këtë përzgjedhje, sepse është një vendim vërtetë i vështirë për t’u marrë. Një gjë e tillë do të më mbante zgjuar çdo natë dhe mua më pëlqen të flejë”, përfundoi Harris duke bërë shaka.
Me regji të Benjamin Cleary, filmi i ardhshëm aktores që i takon zhanrit dramë fantastiko-shkencore, “Swan Song”, zë vend në një të ardhme të afërt dhe e ekranizon një rrugëtim emocional të rrëfyer nga një burrë dhe baba i dashur i quajtur, Cameron. Pasi e zbulon se vuan nga një sëmundje e pashërueshme, mjekët ia ofrojnë një zgjidhje alternative që mund të ndryshojë fatin e familjes së tij. Në film krahas Naomie Harrisit luajnë edhe aktorët tjerë të njohur, si Mahershala Ali, Awkwafina dhe Glenn Close.
“Swan Song” lansohet në platformën digjitale “Apple TV+” më 17 dhjetor.