Grupi “Silk Sonic” do t’i mbajë 13 koncerte në Las Vegas
Foto: AP/Associated Press
Dyshja e njohur e muzikës “Silk Sonic”, e ka paralajmëruar serinë e koncerteve në Las Vegas për vitin 2022.
Dyshja e përbërë nga Bruno Mars dhe Anderson .Paak do t’i mbajë gjithsej 13 koncerte në teatrin “Dolby Live”, nga 25 shkurti deri më 2 prill. Biletat tashmë kanë dalë në shitje.
“Marrëveshja është përfunduar dhe tani Vegasi mund të mos jetë më kurrë njësoj. Jeni të ftuar në koncertin më të madh në qytetin e dritave”, deklaroi Paak përmes postimit të tij në Instagram, derisa Bruno Mars shkroi: “Më në fund po ndodhë. Ndeja më seksi e vitit. Djelmoshat e ‘Silk Sonic’ do të performojnë live në Las Vegas”.
Performancat e titulluara “An Evening With Silk Sonic” e sjellin dyshen e famshme të muzikës duke i interpretuar këngën e albumit debutues me të njëjtin titull. Ato zënë vend pothuajse një vit prejse muzikantët e shënuan premierën e projektit të tyre të përbashkët në ceremoninë “Grammy 2021”.
Muajin e kaluar, albumi i tyre i tejkaloi 1 miliard transmetime në platformën “Spotify”. Ndërsa, “Silk Sonic” janë nominuar për çmimin “BRIT” në kategorinë “Grupi më i mirë ndërkombëtar”. Aty garojnë krahas grupeve, “ABBA, “BTS”, “Måneskin” dhe “The War On Drugs”. Ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve mbahet më 8 shkurt të këtij viti.